Ekzekutimi i shqiptarit në Athinë/ Viktima pjesë e një bande kriminale, lidhja me të akuzuarit për vrasjen e komisar Artan Cukut

Detaje të reja janë mësuar në lidhje me ekzekutimin e 47 vjeçarit shqiptar, Artur Bashimi në rrugën Michael Voda, në Agios Panteleimonas të Athinës.

Sipas mediave greke, kamerat kanë filmuar autorin, një burrë me gjatësi mesatare, të veshur me rroba të errëta dhe me helmetë në kokë që mbërrin në vendngjarje me një motor.

Pasi parkon motomjetin, ai pret në këmbë 47 vjeçarin ndaj të cilit hapi zjarr duke i shkaktuar vdekjen. Më pas ai merr motorin dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Artur Bashimi rezulton i arrestuar në shkurt 2022 si pjesë e një grupi kriminal që kryente vjedhje në mjetet e transportit publik. Ai është arrestuar sërish më pas në prill 2024, po si pjesëtar i një grupi kriminal që kryente vjedhje në Greqi.

Burime policore konfirmojnë se i ndjeri është vëllai i Marsel Bashimit, i njohur ndryshe me mbiemrat Shkurtaj dhe Gozhita, një emër i përfshirë në disa dosje të rënda kriminale si në Greqi ashtu edhe në Shqipëri. Marsel Bashimi është arrestuar në korrik 2022 së bashku me Bledar Jambellin dhe Kristaq Lecin, të dy të akuzuar në Shqipëri për vrasjen e komisarit të policisë Artan Cuku.