Efektivët e Policisë nuk marrin lekët për ushqimin prej 2 muajsh, asnjë shpërblim edhe për ditët e Samiteve në Tiranë

Prej 2 muajsh oficerët e Policisë nuk kanë përfituar pagesën shtesë që marrin për ushqimin, siç premtoi ministri Taulant Balla në ditët e fundit të vitit të kaluar.

Pagesa për ushqimin duhet të kalojë së bashku me pagën, por në 2 muajt e parë të këtij viti ata nuk kanë marrë asnjë lekë, teksa nuk dihet se kur këto pagesa do të kalojnë në llogaritë e tyre. Secili prej tyre duhet të marrë 110 mijë lekë të vjetra në muaj, për 22 ditë pune me nga 8 orë.

Gjithashtu, efektivët e Policisë kanë qenë të angazhuar maksimalisht në 2 ditët e Samiteve të zhvilluara në Tiranë, në 28 dhe 29 Shkurt. Burime për Media Ditarin bëjnë me dije se në krye të detyrës janë thirrur edhe policët që duhet të ishin pushim, për të siguruar sa më mirë mbarëvajtjen e këtyre Samiteve, ku në vendin tonë erdhën liderë nga e gjithë Europa.

Por pavarësisht se ditët e pushimit i kaluan në krye të detyrës, asnjë prej tyre nuk është shpërblyer, si dhe nuk i janë njohur ditët e pushimit për t’i bërë në data të tjera.

Edhe pse Policia e Shtetit në vitet e fundit ka fituar besueshmërinë e qytetarëve, problemet e efektivëve mbeten të shumta, teksa më herët Media Ditari ka bërë të ditur edhe një tjetër problematikë të tyre, patrullimin në këmbë për shkak të kontratës së lidhur me një kompani private për makinat e policisë.

LEXO EDHE: “Nuk kapet lepuri me qerre!” Kontrata absurde e makinave të Policisë, efektivët detyrohen të patrullojnë në këmbë