Edi Ram(bo) kundër korrupsionit! Pas Adea Pirdenit, çetës i shtohet edhe Fatmir Xhafaj

Edi Rama ndoshta nuk e kishte menduar kurrë se do të arrinte të fironte 3 mandate radhë si kryeministër i Shqipërisë, teksa edhe në zgjedhjet e vitit të ardhshëm është favorit për të marrë një mandat të katërt qeverisës.

Por, nëse e kishte ëndërruar të ishte një kryeministër jetëgjatë, me siguri që kurrë nuk e ka menduar se ministrat dhe zyrtarët e tij do ta bënin Shqipërinë një nga vendet më të korruptuar në Europë.

Korrupsionin në shtet e kuptoi me vonesë, në rastin më të mirë, ose në rastin më të keq, vendosi ta luftonte vetëm pas 10 vitesh në pushtet, edhe pse skandalet i ka patur që në mandatin e parë qeverisës, me ministra të arrestuar dhe me afera korruptive qindra milionë euroshe.

Në 11 Janar të këtij viti, u hodh edhe hapi i parë i qeverisë kundër korrupsionit. Kryeministri Rama vendosi që të krijojë një ministri të re, Ministrinë e Shtetit për Administratën Publike dhe Anti-Korrupsionin, e cila iu besua Adea Pirdenit, deri në atë kohë zv.ministre e Drejtësisë.

“Është e udhës që politikat antikorrupsion të qeverisë të harmonizohen më mirë mes institucioneve të ekzekutivit, me ekzigjencat e procesit sfidues të negociatave me BE për të gjitha institucionet e vendit, si edhe me vetë shoqërinë civile e sipërmarrjen”, shkruante Rama në Janar.

Por ministrja e re duket se nuk bëri asgjë për të luftuar korrupsionin, edhe pse skandalet vijonin të dilnin në pah një nga një, me SPAK që filloi arrestimet e shumta në disa bashki të vendit, ku afera më e madhe ishte ajo e ish-drejtorëve të Bashkisë së Tiranës.

Duke parë që Ministria e re rezultoi një dështim, një propozim i ri erdhi nga mazhoranca: rezoluta anti-korrupsion.

Rezoluta i drejtohej Kuvendit dhe ishte edhe një ftesë për opozitën, që së bashku të ngrinin një Komision të Posaçëm për të luftuar korrupsionin. Por lufta ndaj korrupsioni nuk duket të jetë e vetmja arsye e ngritjes së këtij Komisioni.

Fokusi është diku tjetër, te SPAK. Prokuroria e Posaçme i ka hapur shumë punë pushtetit kohët e fundit, pasi ka thirrur për të dëshmuar edhe zyrtarët më të lartë, si Belinda Ballukun dhe Ëngjëll Agaçin, por edhe Erion Veliajn dhe kryebashkiakë të tjerë. I vetmi që ende nuk ka hyrë në derën e SPAK është kryeministri Edi Rama.

Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, rezoluta u miratua dje vetëm me votat e mazhorancës, që po bëhen gati për ngritjen e Komisionit të Posaçëm, i cili pritet t’i besohet një “ustai” të ligjeve, siç ëhstë Fatmir Xhafaj, dikur mik, më pas armik dhe tashmë sërish mik.

Xhafaj është “ushtari” i radhës që hyn në çetën e Ramës për të luftuar korrupsionin, pas Adea Pirdenit. Por pritet të shihet nëse Komisioni i Xhafajt do të luftojë korrupsionin, apo batalionin e SPAK, për të mbrojtur komandantin të mos paraqitet në ato dyer të frikshme për këdo zyrtar.

Lexo edhe: Mazhoranca e miratoi e vetme, çfarë parashikon rezoluta anti-korrupsion që tenton të frenojë SPAK-un