Edi Rama fton në podcast dhe i kërkon falje publike Mark Markut

Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar falje publike ish-deputetit të PD Mark Marku. Ky i fundit ishte i ftuar në podkastin e përjavshëm të Ramës, me këtë të fundit që ka thënë se nuk e bën krenarë ajo çfarë ai kishte deklaruar 3 vite më përpara.

Rama kërkoi ndjesë publike për ‘sulmet’ gjatë fushatës zgjedhore të 2021, ku Mark Marku ishte drejtuesi politik në Lezhë

“Si fillim dua të kërkoj ndjesë për një arsye që nuk më bën krenarë. Ndjesë se në një moment barrikadimeve gjatë fushatës së fundit në mos gabohem ishe kandidat në Lezhë dhe unë në mitingun e Lezhës ta thoja emrin Mark Marku por me një fjalë ironie që nuk më bën krenar sot“- tha Rama.

Ndërkohë duket se edhe ish-deputeti ka lënë pas ofendimet e Ramës, duke pranuar kështu faljen e tij.

“Gjyshi im ka pasur emrin Mark. Një herë dikush më tha: Pse nuk e ndërron emrin? Po me këtë emër do të paragjykohesh. Nuk kam pse ta ndërroj. Jam mësuar me të e do më dukej sikur nuk jam ai”-tha Mark Marku.

Por le t’i kthehemi edhe njëherë ironisë që Rama bëri asokohe për Markun.

Gjatë një takimi në Lezhë në fushatën e zgjedhjeve të 2021-it, ku bëri prezantimin e kandidatëve për deputetë, Rama sulmoi 2 kandidatët e renditur në fillim të listës së PD në Lezhë, Mark Markun dhe Agron Gjekmarkajn. Rama tha se lezhjanët nuk duhet ta votojnë Markun sepse ai s’do të bëjë asnjë punë, ndërsa Gjekmarkajn e cilësoi një “lolo”.

“Jua kam thënë në këtë shesh, mos e votoni Frrok Frrokun. E votuat dhe shkoi në burg. Po jua them sërish nga ky shesh që mos votoni Mark Markun Marku nuk futet në burg, por nuk bën dot asnjë punë. E vetmja punë që bënte është të kërcënonte se do gjuante me shishe te Fevziu, po as atje s’vete dot se nuk është më analist. Mirë Mark Markun, po atë bishtin nga mbrapa, Gjekmarku? Ai është lolo, unë e njoh nga eksperienca ime se kam patur disa përballje me të”, tha Rama ndër të tjera.

Po ashtu Rama kishte ironizuar caktimin e pedagogut Mark Marku si drejtues politik në këtë qark për zgjedhjet e 25 prillit.

Rama publikoi në rrjete sociale një video ku shihet Mark Marku në një debat me Musa Ulqinin në emisionin “Opinion” teksa thotë: “Mos më fol se do të shaj. Do të shaj keq dhe do të masakroj. Do të hedh këtë shishen kokës. Boll po të them. Do ta mbyll gojën me forcë. Mos ha m*t më po them. Kaq. Më le të flas”.

Krahas videos, Rama ironizon Markun duke shkruar: “Presor gazetarie dhe kandidat për ministër arsimi i OpBashkuar opopo”.