Edi Rama firmos fundin politik të Erion Veliajt

Erion Veliaj është edhe zyrtarisht një kapitull i mbyllur për Partinë Socialiste! Sot, Këshilli i Ministrave ka miratuar shkarkimin e tij si kryebashkiak i Tiranës, duke i hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme në këtë institucion.

Vendimin për shkarkimin e Veliajt e njoftoi vetë Rama në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ku njoftoi edhe emrat e rinj të ministrave, e si për ironi të fatit, vendimi i parë i qeverisë së re do të jetë shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës.

Erion Veliaj ndodhet në paraburgimin e Durrësit prej 10 Shkurtit të këtij viti, i akuzuar për “Korrupsion pasiv”, kryer në bashkëpunim (9 herë) dhe “pastrim parash”, akuza që rëndojnë edhe ndaj bashkëshortes së tij, Ajola Xoxa, e cila ka konsumuar edhe veprën penale: “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.

Hetimet e SPAK kanë zbuluar se fondet publike që dalin nga institucioni i Bashkisë Tiranë, me nënshkrimin e Veliajt, kanë kaluar drejtpërsëdrejti tek bashkëshortja e tij dhe rrethi i saj familjar, përmes OJF-ve dhe personave juridikë të kontrolluar de jure dhe de  facto nga Ajola Xoxa.

SPAK thotë se bashkëshortja e Veliaj, Ajola Xoxa për katër vite ka bërë blerje online duke shpenzuar plot 860 mijë euro për bizhuteri dhe veshje. Këto shpenzime nuk janë deklaruar në asnjë nga Deklaratat Periodike të titullarit të Bashkisë së Tiranës dhe personave lidhur me të.

Pas arrestimit të Veliajt, i pari që i doli në mbrojtje ishte kryeministri Edi Rama, që nuk kurse as sulmet ndaj SPAK, por shumë shpejt u pa qartë se mbrojtja që i bëri Veliajt ishte vetëm për të ,mbajtur socialistët të bashkuar deri në zgjedhjet e 11 Majit, ku mori mandatin e katërt qeverisës.

Më pas, Veliaj u la i vetëm, teksa edhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt nuk guxonin të flisnin publikisht për të e ta cilësonin të pafajshëm, siç kishin bërë në fillim.

11 Shtatori mbylli edhe kapitullin e tij me PS, kur Edi Rama shpalli publikisht edhe kandidaten e re të socialistëve për Bashkinë e Tiranës, Ogerta Manastirliun. Vetëm pak ditë më pas edhe Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi shkarkimin e tij, që u vulos me firmën e kryeministrit Rama, që firmosi edhe fundin politik të Erion Veliajt.

Por Rama nuk do të mjaftohet me kaq, pasi paralajmëroi edhe një “katarsis” në Bashki, çfarë do të thotë se të gjithë bahskëpunëtorët e Veliajt pritet të largohen, për t’u lënë vendin besnikëve të Manastirliut dhe Ramës.

E për ta bërë edhe më të dhimbshme këtë shkarkim për Veliajn, në krye të fushatës së socialistëve për Bashkinë u vendos Belinda Balluku, kundërshtarja e tij e hershme brenda PS-së, që zërat e ndryshëm brenda partisë e cilësojnë si shkaktaren për arrestimin e ish-kryebashkiakut.

Tashmë Veliaj përballjen më të madhe do ta ketë me SPAK, që i ka bërë gati dosjen me qindra faqe ku ka faktuar korrupsionin e tij në Bashkinë e Tiranës dhe miliona eurot e grabitura të qytetarëve, që u bënë vila e rroba për të dhe familjen e tij.