Edhe Rama nën hetim? Kryeministri dëshmoi rreth 10 orë, SPAK kërkon të gjitha dëshmitë në Komisionin Parlamentar për inceneratorët

Dosja e Arben Ahmetajt duket të jetë vetëm “maja e ajsbergut” për aferën e inceneratorëve, pasi SPAK po i hyn në thellësi kësaj çështje.

Burime nga Prokuroria e Posaçme bëjnë me dije se prokurorët kanë kërkuar nga Kuvendi të gjitha dëshmitë e zbardhura në Komisionin Parlamentar Hetimor për inceneratorët. Në këtë komision dëshmuan disa prej ministarve dhe persoanve të tjerë në këtë aferë.

Por në duart e SPAK do të jetë edhe dëshmia e kryeministrit Rama, i cili në 23 Shkurt 2022 dëshmoi për rreth 10 orë në këtë Komision, ku u pyet dhe u përgjigj në lidhje me të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij nga kryetarja e Komisionit, Jorida Tabaku, dhe deputetët e opozitës.

Kryeministri Rama e ka mbrojtur gjithmonë çështjen e inceneratorëve, por edhe ka deklaruar se ai nuk ka firmosur asnjë dokument, duke e hequr përgjegjësinë nga vetja. Tashë që dëshmitë do të administrohen nga SPAK, “këmbanat e alarmit” mund të bien edhe mbi kryeministrin, në rast se dëshmitë e tij nuk përputhen me atë që ka ndodhur në të vërtetë.