Këngëtari i njohur shqiptar, Shpat Kasapi ka ndërruar jetë mëngjesin e kësaj të mërkure. Sipas mediave, ai ndërroi jetë si pasojë e një sulmi në zemër, gjatë qëndrimit të tij në Itali.
Shpat Kasapi, 40 vjeç, ka qenë një nga emrat më të njohur dhe më të dashur të skenës muzikore shqiptare. I lindur më 1 maj 1985 në Tetovë, ai u rrit në një familje me traditë muzikore, që i dha shtysën e parë drejt skenës.
Kasapi nisi karrierën artistike që në fëmijëri, duke marrë pjesë në festivale të ndryshme, ku në moshën 13-vjeçare fitoi çmimin e parë në festivalin “Bletëzat ‘98” në Tetovë.
Suksesi i tij u konsolidua me kalimin në skenën e të rriturve, duke u vlerësuar me çmimin e parë në “Këngët e Stinës 2002” në Tiranë, çmimin e publikut në “Nota Fest 2003” dhe “Albafest 2003” në Shkup, si dhe me një sërë çmimesh të tjera që pasuan.
Disa prej këngëve që u shndërruan në hite janë: “A më do?”, “Valle Kosovare”, “Dashni pa limit”, “Aroma e saj”, e shumë të tjera. Shpat Kasapi ka marrë pjesë në festivale të rëndësishme dhe ka bashkëpunuar me emra të njohur të industrisë muzikore.
Lajmi për vdekjen e Shpat Kasapit ka tronditur publikun, komunitetin artistik shqiptar dhe fansat e tij.