E rëndë në Tiranë, ekonomisti 35 vjeçar mbante mbyllur gruan, vajzën dhe nënën, i monitoronte kudo me kamera

Një rast i rëndë dhune është zbuluar nga policia e Tiranës, e cila ka vënë në pranga një 35 vjeçar.

Mësohet se Jetnor Zhaboli, me profesion ekonomist mbante të mbyllur në shtëpi gruan, vajzën e mitur dhe nënën e tij. 35 vjeçari kishte qenë prej fillimit xheloz dhe kontrollues por me kalimin e kohës ishte bërë edhe më shumë. Sa herë ai largohej nga shtëpia u ndalonte komunikimin me persona të tjerë si dhe ushtronte dhunë fizike dhe psikologjike në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes.

Mësohet se kryefamiljari kishte montuar kamera kudo, përfshirë edhe tualetin dhe dhomën e gjumit dhe sa herë që largohej nga shtëpia i monitoronte se çfarë bënin.

Kjo jetesë i kishte shkaktuar stres bashkëshortes së tij e cila kishte tentuar vetëvrasjen. Në banesë policia gjeti dy letra që gruaja kishte shkruar për familjaret e saj, ku iu linte lamtumirën dhe u kërkonte falje.

Këtë dhunë e përjetonte edhe nena e tij e cila ishte e pafuqishme për të kundërshtuar të birin dhe për të mbrojtur nusen dhe fëmijën.

Gjithashtu ai kishte instaluar një pajisje që bllokonte valët e telefonit, duke mos lejuar kështu mundësinë që ato të komunikonin me njeri.

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Seksionin për Parandalimin e Dhunës në Familje dhe Mbrojtjes së të Miturve në DVP Tiranë, pas informacionit të marrë se një shtetas, ushtronte dhunë në mënyrë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij, si dhe e mbante të mbyllur atë, nënën dhe vajzën e tij, sa herë ai largohej nga banesa, menjëherë kanë organizuar punën për dokumentimin e plotë ligjor të rastit, dhe vënien e autorit të dyshuar, përpara përgjegjësisë penale”, thuhet në njoftimin e policisë.