E rëndë! Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi shkel hapur “Kodin e Etikës Gjyqësore”, me shallin e kuq pozon krah socialistëve

Kreu i Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi ka shkelur me dy këmbë “Kodin e Etikës Gjyqësore”.

Sadushi është shfaqur në një takim në qytetin e Vlorës, në krah të përfaqësuesve politikë të së majtës, deputetit Vullnet Sina, kryebashkiakut të Vlorës Ermal Dredha dhe prefektit të këtij qarku Flamur Mamaj. Foto e Sadushit i përqafuar me socialistët e Vlorës ka bërë xhiron e rrjetit teksa është komentuar edhe nga qytetarët.

Sadushi dhe socialistët e tjerë morën pjesë në përvjetorin e një formacioni partizan, ku ka bërë pjesë edhe i ati i kreut të Gjykatës së Lartë, Maliq Sadushi.

Sadushi siç duket nuk ka ngurruar që të shfaq publikisht preferencat e tij politike, megjithëse diçka të tillë ia ndalon, “Kodi i Etikës Gjyqësore”.

Kjo sjellje e Sadushit bie në kundështimin të hapur me vendimin numër 171 i vitit 2021, nxjerrë nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, që bën fjalë për “Kodin e Etikës Gjyqësore”.

Aty thuhet shprehimisht, në pjesën e “Parimeve Bazë të Kodit të Etikës Gjyqësore” në nënçeshtjen Ç “Parimi i Sjelljes së Hijshme dhe me vetëpermbajtje”, në pikën g’, se gjyqtari, “duhet të shmangë shfaqjen e bindjeve të tij politike, edhe pse ai si çdo qytetar gëzon të drejtën për të pasur të tillë”.

Ndërkohë Sadushi teksa pozonte me zyrtarët socialisë, mbante të veshur edhe një shall të kuq.

Theksojmë se Sadushi ka një post shumë shumë të rëndësishëm, pasi drejton një nga gjykatat me më shumë peshë në vend, por nuk ngurron të pozojë me shallin komunist në qafë duke fyer kujtimin e mijëra viktimave dhe familjeve të tyre, të masakruara nga regjimi komunist.

Tri dekada pas rënies së komunizmit, familjarët e personave të zhdukur kërkojnë ende të mësojnë se si u vranë dhe ku u varrosën të dashurit e tyre ndërsa institucionet ia pasojnë përgjegjësinë njëri-tjetrit.

Sadushi si drejtues i një institucioni shumë të rëndësishëm të drejtësisë, duhet të jetë i pavarur dhe simbolet politike nuk duhet të shfaqen nga zyrtari i lartë.

Pavarësisht bindjeve të tij politike, për shkak të detyrës që ai mban, ato duhet të kalojnë në plan të dytë.

Ky veprim i Sadushit nuk kaloi pa u vënë re nga media por edhe nga politika.

Në një reagim të bërë nga “Rithemelimi” një ditë më parë, ata u shprehën se foto e Sadushit me shallin e kuq dhe krah socialistëve dëshmon se gjykatat dhe SPAK-u janë aksesor i Edi Ramës dhe qeverisë.

“Imagjinoni si i trajton cështjet e drejtësisë që prekin Partinë Demokratike Sokol Sadushi, kur del publikisht, pa iu drishur qerpiku në zijafete me kundërshtaret e PD, deputetë dhe funksionarë të lartë të Partisë Socialiste”- thuhej mes të tjerash në reagimin e “Rithemelimit”.

Por teksa Sadushi pozon me shallin e kuq komunist dhe i buzëqeshur krah socialistëve, lind pyetja: A preket besimi i qytetarëve te drejtësia?