Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet e 14 Majit, qëndron në qelinë e burgut prej rreth 4 muajsh, pasi u kap në flagrancë duke blerë vota vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka mbyllur hetimet për Belerin dhe kërkon gjykimin e tij për “korrupsion aktiv në zgjedhje”. Së bashku me të, i pandehur është edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi, i marrë i pandehur për të njëjtën vepër penale.
“Rezulton se është e provuar tej çdo dyshimi të arsyeshëm që i pandehuri Dhionisios Alfred Beleri i ka ofruar shtetasit Arsen Rama shumat monetare prej 50 euro për çdo person që do të gjente Arseni, që do votonte për Belerin si kandidat për kryetar të Bashkisë Himarë,” thuhet në njoftimin e SPAK, ku shtohet se vetë Rama do të shpërblehej me 300 euro për shërbimin.
Sipas SPAK, Beleri ia ka dhënë shumat monetare Arsen Ramës nëpërmjet Pandeli Kokaveshit. Ky i fundit i ka dhënë shtetasit Arsen Rama tetë kartëmonedha të prerjes 5 000 lekëshe për tetë persona që do votonin në favor të Belerit.
“Në rastin konkret të pandehurit e kanë kryer veprën penale me veprime aktive të kundërligjshme në dy forma të saj, si nëpërmjet premtimit dhe ofrimit të shumave monetare shtetasit Arsen Rama në mënyrë që ky i fundit të ndikonte tek vullneti i qytetarëve të tjerë për të siguruar vota në favor të të pandehurit Dhionisios Alfred Beleri në zgjedhjet vendore të datës 14.05.2023”, shprehet SPAK.
Ndërkohë, Media Ditari ka zbardhur përgjimet të cilat kanë “fundosur” Fredi Belerin. Në përgjimet ekskluzive që disponon Media Ditari, Beleri bisedon me informatorin dhe i premton 50 euro për 13 vota që të nesërmen dhe 300 euro për vetë informatorin nëse votat do të dilnin në kuti. Informatori i thotë që të mos shqetësohet se i ka votat e sigurta dhe se ai do të dalë garant për këto vota.
“Orea” (bukur), dëgjohet të thotë Beleri në gjuhën greke, për të shprehur kënaqësinë se blerja e votave u krye me sukses.


Në përgjimin tjetër të Fredi Belerit, ëhstë bashkëpunëtori Pandeli Kokaveshi i cili i jep lekët informatorit për 8 vota të tjera. Informatorin e ka dërguar Fredi Beleri te Kokaveshi, për të mbyllur pazarin e votave.
Janë 400 euro që merr informatori për t’i shpërndarë, ndërsa i kërkon Kokaveshit edhe pjesën e tij, por bashkëpunëtori i Belerit i thotë se do flasin sërish.

Por Fredi Beleri dhe Pandeli Kokaveshi nuk kanë dhënë vetëm lekë për vota, ata gjithashtu kanë ndërhyrë që dy vajza nga Himara të marrin nënshtetësinë greke, me kusht që të votojnë ëpr Fredi Belerin në zgjedhjet e 14 Majit.
Në përgjime del Pandeli Kokaveshi, i cili i ka dërguar edhe foto e kartave ID të dy vajzave, të cilat pasi të kalonin në konsullatë, do të votonin për Belerin.
***Media Ditari disponon emrat e plotë të vajzave dhe ditëlindjet e tyre siç janë dërguar në mesazhe, por nuk po i bëjmë publike për të ruajtur privatësinë e tyre
Pjesa e përgjimeve për kartat greke
