Ish-kandidati i Partisë Demokratike për kryetar të Bashkisë Kukës, Admir Sinamati është përjashtuar nga pjesëmarrja në garën për “primaret”, të cilat mbahen më 1 mars.
Ky përjashtim ka shkaktuar një reagim të ndjeshëm brenda radhëve të partisë, me disa anëtarë që shprehin pakënaqësi për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje.
Për këtë ka reaguar vetë Sinamati, i cili akuzon drejpërdrejt Flamur Nokën se përjashtimin nga gara e bëri 30 minuta pas mbledhjes së Kryesisë në bashkëpunim me Albana Vokshin.
Sipas tij, Noka kishte zgjedhur skenarin më të turpshëm për përjashtimin e tij nga gara me argumentin se ka kryer shkelje etike.
Ai i kujton Nokës se nuk do të heshtë përballë pazareve që thuren në kurriz të demokratëve, por do vijojë të mbrojë interesin e tyre në çdo rrethanë.
Ai madje i kujton Sekretarit të Përgjithsëm të PD-së se do përfundojë si “kufomë politike’, pavarësisht se në zgjedhjet e 11 majit do garojë në lista të sigurta.
“Nëse ti Flamur mendon se unë duhet ta këmbej heshtjen time për pazaret e tua dhe kujtdo tjetër që passjell humbjen e sigurtë të zgjedhjeve në Kukës me mbështetjen tënde e ke gabim, sepse kështu unë(profesori i etikës) dhe politikani i terrenit do të kisha firmosur suicidin profesional dhe do të kisha prekur fundin moralo-politik, duke shkelur njëherazi mbi 11 parimet e Etikës dhe mbi besën e demokratëve e qytetarëve të ndershëm të Kukësit.’, thekson ai.
Postimi i Admir Sinamatit:
Duan të më rrëmbejnë “etikën” pasi nuk ia dolën me politikën.
Pasi u përbetua lart e poshtë prej kaq kohësh duke kërkuar bashkëpunëtorë në bazë dhe qendër e nuk ia doli dot, dje, Flamur Noka kishte zgjedhur skenarin më të turpshëm; përjashtimin tim nga kandidimi në Kukës për çështje etike, duke bashkëpunuar me drejtuesen e KOKOE në PD zj. Albana Vokshi.
Pavarsisht kërkesës së kësaj të fundit, dhe insistimit hakërryes të Flamurit, fillimisht kryesia e PD dhe vetë Dr. Berisha ua hodhi poshtë këtë dëshirë; por insistimi ishte aq këmbëngulës nga ana e Nokës sa çuditërisht e çbëri këtë vendim kryesie rreth 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes.
Por, këto njerëz (Albana e Flamuri) të verbuar nga qëllimi e të bindur në solidaritetin e anëtarëve të kryesisë, nuk kishin lexuar CV time, ku qartësisht e kanë patur të shkruar që unë jam pedagog dhe tekstshkrues i lëndës BIOETIKA ( etika e deontologjia) MJEKËSORE në Fakultetin e Mjekësisë.
Vetëm sivjet o Flamur dhe Albana kam ligjëruar leksionet e Etikës dhe kam vlerësuar me nota në librezë për rreth 700 studentë; e ky përjashtimi im për çështje etike merr kuptim vetëm për humbësa e ngelësa etiko-politikë .
Nëse ti Flamur mendon se unë duhet ta këmbej heshtjen time për pazaret e tua dhe kujtdo tjetër që passjell humbjen e sigurtë të zgjedhjeve në Kukës me mbështetjen tënde e ke gabim, sepse kështu unë(profesori i etikës) dhe politikani i terrenit do të kisha firmosur suicidin profesional dhe do të kisha prekur fundin moralo-politik, duke shkelur njëherazi mbi 11 parimet e Etikës dhe mbi besën e demokratëve e qytetarëve të ndershëm të Kukësit.
Ju nuk keni se si t’i zbatoni parimet etike kur nuk i njihni ato, sepse raportin me librin dhe njerzillëkun e keni patur gjithmonë armiqsor Flamur.
Nuk e di por jam i sigurtë nga veprimet që bën, se në bibliotekën tënde të përdorshme mund të keni vetëm një libër; “Zhozef Fushe” të Stefan Zweig.
Shkelës persistent i etikës politike jeni ju Flamur, që me veprimet tua aktive prej kopjaci të Fushesë, prej kaq kohësh keni bërë vetëm një gjë: i keni larguar PD dhe Dr. Berishës qindra kontributorë dhe bashkëpunëtorë politikë, por me mua do ta keni mision të pamundur.
Edhe një gjë o Flamur: ju e dini se jam i specializuar në Mjekësi ligjore dhe si i tillë shpesh më duhet “të flas” me kufoma, si patolog politik do kisha dëshiruar të mos merrem kurrë me kufoma politike, por nëse ndodh unë ua di gjuhën edhe atyre.
Unë kam bindjen se ju shumë shpejt pavarsisht vendit të sigurtë në listë keni për të “thyer qafën” duke u shndërruar në “kufomë politike”, megjithëse nuk ia dëshiroj askuj, aq më tepër një ish-miku, sidomos në këto kohë të vështira.
Unë KËTU jam e do të qëndroj, për ju nuk e dij.
Tung Flamur!
Hajt se folim (thonë në zhargonin e përditshëm kuksianët )..…
Ky incident ka ngritur pikëpyetje mbi transparencën dhe procedurat e menaxhimit të primareve, duke lënë hapur mundësinë për një debat të gjerë në lidhje me proceset zgjedhore të Partisë Demokratike.