Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, zhvilloi sot një takim me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Nancy VanHorn.
Në fokus të bisedës ishin ecuria e reformës në drejtësi, forcimi i shtetit të së drejtës dhe përparimi drejt integrimit evropian.
Gjatë takimit, ministri Lamallari vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve në proceset reformuese në Shqipëri, duke theksuar rëndësinë e partneritetit strategjik me Uashingtonin.
Ai nënvizoi se vendi mbetet i përkushtuar për forcimin e institucioneve të drejtësisë dhe sistemit penitenciar, si dhe për thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha kyçe.
“Kënaqësi të prisja sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së SHBA në Tiranë, znj. Nancy VanHorn. Diskutuam për ecurinë e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimin e ligjit dhe forcimin e shtetit të së drejtës, për ta bërë të pakthyeshëm progresin e arritur deri më tani dhe për të garantuar anëtarësimin në BE brenda vitit 2030. Mbetemi të përkushtuar të forcojmë kapacitetet tona në institucionet e drejtësisë dhe sistemin penitenciar, si dhe të intensifikojmë bashkëpunimin dypalësh. Partneriteti strategjik me SHBA dhe mbështetja e vijueshme e tyre në shumë reforma kyçe, për ne kanë një vlerë të çmuar”, shkruan Lamallari.