Dy sukseset e vetme sipas Ramës, mirëqeverisja do bazohet tek e-Albania

Kryeministri Edi Rama foli pas mbledhjes së qeverisë në Tepelenë për një ndryshim të shërbimit ndaj qytetarëve. Rama vlerësoi dy arritje sipas tij. E para është portali unik e-Albania që sipas Kryeministrit do mbajë peshën e mirëqeverisjes në vijim. Sipas tij, e-Albania do ndryshojë, do jetë më e shpejtë dhe do garantojë transparencë. 

“Jemi duke transformuar E-Albania, e cila pas pushimeve do të komunikojë me qytetarët. Qytetari që do të hyjë në E-albania do të jetë i shoqëruar nga inteligjenca artificiale, sikur të ishte shoqëruar nga një person fizik. Brenda vitit do të kemi dhe shoqëruesin virtual me zë dhe figurë, në E-Albania. E-Albania nuk do të jetë më thjesht me zë dhe shkrim, por do të marrësh me faceup, ku do të orientoheni duke ju thënë ku do të klikoni. Këtë proces do ta shtrijmë në çdo sektor, dhe në drejtësi. Kjo do të ndihmojë sistemin e drejtësisë dhe rritjen e transparencës. Janë shumë gjëra duke u gatuar, por këto kërkojnë njeriun, forcën njerëzore”, tha Rama. 

Suksesi i dytë sipas kryeministrit është forcimi i lekut. Rama pretendon se forcimi i monedhës shqiptare është një lajm i mirë. 

“Mos harroni që këshilltari im për ekonominë është këshilltari i kancelares Merkel. Është një histori suksesi, është një histori suksesi. Një lek i fortë në këtë moment dhe në këtë kohë kur një lek i dobët do të na kishte sjellë një dhimbje koke katastrofike është një histori suksesi. Por nga ana tjetër duhet kuptuar që është dhe një kambanë e fortë alarmi për sektorin fason”, shtoi Rama.