Dy kryetarët prapa hekurave, kush pritet të marrë drejtimin e Bashkisë së Himarës

Bashkia e Himarës nga ngelur pa një kryetar, pasi fituesi i zgjedhjeve të 14 Majit, Fredi Beleri, ndodhet prej 10 muajsh në burg, ndërkohë që 3 ditë më parë u arrestua me urdhër të SPAK edhe kryetari në detyrë, Jorgo Goro.

Tashmë detyrën e kryetarit do ta marrë një prej dy nënkryetarëve, Blerina Bala ose Pervin Gjikuria. Zgjedhja do të bëhet nga Këshilli Bashkiak që do të mblidhet në 29 Mars, teksa socialistët kanë shumicën.

Kujtojmë se kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri, qëndron në burg prej 12 Majit 2023, dy ditë përpara zgjedhjeve, i akuzuar për korrupsion zgjedhor. Ai u dënua nga GJKKO me 2 vite burg, ndërsa bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi me 1 vit e 6 muaj, por iu konvertua në shërbim prove për 3 vite për shkak të problemeve shëndetësore.

Ndërkohë, Jorgo Goro akuzohet si bashkëpunëtor për tjetërsimin e 5512 metër katrorë tokë në Gjilekë të Himarës, të cilën e përfitoi Artan Gaçi, bashkëshorti i ish-ministres Olta Xhaçka, i cili falë atij trualli u shpall investitor strategjik.