Drogë nga Amerika Latine me destinacion Shqipërinë, detaje se si policia greke futi “Kalin e Trojës” për të goditur rrjetin e kokainës

Mediat greke kanë zbuluar detaje të reja në lidhje me sekuestrimin e 210 kg kokaine në një kontenier me karkaleca të ngrirë në Portin e Pireut, ku ranë në pranga 4 persona, mes tyre dy shqiptarë.

Droga, ishte nisur nga porti i Guajakilit në Ekuador dhe kishte si destinacion Shqipërinë.

Sipas të përditshmes greke“Kathimerini”, policia aplikoi skemën e njohur “Kali i Trojës”, të përdorur nga grekët e lashtë gjatë luftës së Trojës.

Në agjent i infiltruar, kishte arritur të depërtonte në radhët e shpërndarësve të drogës.  Ai i bindi ata se kishte aftësinë që kokainën ta nxirrte nga kontenieri që ndodhej në Portin e Pireut dhe ta çonte në një vend të sigurt ku më pas mund ta merrnin anëtarët e tjerë të organizatës.

Trafikantët e drogës ranë në kurthin e tij, dhe ai më datë 22 maj, i çoi 4 të arrestuarit në një lokal në Pire me pretendimin se aty kishte fshehur drogën dhe mund ta merrnin. Me të mbërritur në lokal, anëtarët e rrjetit të drogës panë jo vetëm pakot e kokainës, por edhe një numër të madh agjentësh policie.

Përpos 210 kg kokainë që u sekuestruan në moment, disa orë më vonë policia greke njoftoi se kishte kapur edhe 100 kg të tjera në një kontenier tjetër.

4 trafikantët e drogës që u arrestuan janë: Azdren Muharremi, Marsel Stafaj, si dhe dy grekët Alexandors Merkouris dhe Ioannis Viglakis.