“Dritë jeshile” për bastet sportive, projektligji pritet të votohet në Parlament, ja si do të funksionojnë

Ka mbetur shumë pak kohë përpara se bastet sportive të ligjërohen sërish në Shqipëri. Pas një “presioni” nga disa institucione, qeveria ka dhënë dritën jeshile, teksa projektligji ka kaluar në Kuvend në datën 19 Korrik, në pritje për t’u votuar.

Por vendosja e basteve sportive nuk do të funksionojë si para disa vitesh, pasi skedinat do të luhen vetëm online dhe nuk do të ketë më sallone fizike. Gjithashtu, nuk do të ketë shumë kompani që do të ushtrojn aktivitetin, pasi qeveria i ka limituar në 10.

Kompanitë që duan të marrin licensën duhet të të kenë kapital mbi 20 milion lekë dhe përvojë mbi 3-vjecare në lojëra fati. Ndërkohë, 15% e parave që do të arkëtohen në baste, do të shkojnë për mbështetjen e sportit, artit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit.

Për të mbrojtur lojtarët fitues, shteti do të detyrojë kompanitë e licensuara të ngurtëojnë një fond prej 120 milionë lekësh. Kompanitë duhet të ngurësojnë edhe një fond tjetër prej 50 milionë lekësh, për të shlyer detyrimet ndaj Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Burime për Ditar.al bëjnë me dije se kompanitë janë shfaqur skeptike deri më tani, pasi shteti kërkon që të marrë 15% të xhiros vjetore të kompanive, dhe jo të fitimit.