Dosja ‘Metamorfoza’/ SPAK kërkon 14 vite burg për Pëllumb Gjokën, 9 vite për ish shefin e policisë

SPAK kërkon dënimin me 14 vite burg për biznesmenin Pëllumb Gjoka dhe 9 vite burg për ish-shefin e policisë, Ardit Hasanbegaj, lidhur me dosjen ‘Metamorfoza’, ndërsa të dy po gjykohen me gjykim të shkurtuar.

Nëse shpallen fajtorë, ata përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar, çka nënkupton uljen e 1/3 së dënimit.

Seanca e radhës u shty për më 9 mars ku priten konkluzionet e avokatëve mbrojtës.

SPAK e akuzon Gjokën edhe për sigurimin e kushteve për të vrarë Kleant Musabelliun, Dorjan Dulin dhe Ibrahim Licin në formën e grupit të strukturuar kriminal. Gjoka akuzohet nga Prokuroria e Posaçme edhe për korrupsion aktiv i gjyqtarit, prokurorit dhe i funksionarëve të tjerë të drejtësisë” si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, ish-zyrtari i policisë Ardit Hasanbegaj, akuzohet për sigurim të kushteve për vrasjet e Dorian Dulit dhe Ibrahim Licit.