Dosja ‘Epstein’ del në dritë! Publikohen mijëra foto, përfshirë ato të Clinton në pishinë me një grua

Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka nisur publikimin e një sasie të madhe dokumentesh sekrete që lidhen me çështjen e financierit të dënuar për krime seksuale, Jeffrey Epstein. Bëhet fjalë për mbi 300 mijë faqe materiale, të cilat përmendin të paktën 1 mijë e 200 viktima, megjithëse shumica e emrave janë të errësuar për arsye privatësie.

Në mesin e dokumenteve dhe fotove të publikuara, një imazh ka tërhequr vëmendje të veçantë: Fytyra e një gruaje është e mbuluar për të mbrojtur identitetin e saj, ndërsa ish-presidenti amerikan Bill Clinton shfaqet i buzëqeshur në një vaskë me hidromasazh. Kjo nuk përbën provë se Clinton ka kryer vepra penale gjatë kontakteve të tij me Epstein, por ka ringjallur dyshimet dhe kureshtjen e atyre që prej vitesh besojnë se pjesë të elitës amerikane kanë qenë të përfshira në rrethin e financierit famëkeq.

Në dokumente përmendet edhe presidenti Donald Trump. Emrat e ish-bashkëshortes së tij, Ivana dhe vajzës Ivanka rezultojnë në kontaktet e Epstein, pa prova për sjellje të papërshtatshme. Mes kontakteve gjenden figura të ndryshme publike, nga Mick Jagger te fituesi i Çmimit Nobel për Paqen dhe i mbijetuari i Holokaustit, Eli Wiesel. Një tjetër fotografi e publikuar e tregon Epstein në shoqërinë e Michael Jackson.

Mbi 1 mijë e 200 viktima, emrat kryesisht të fshehur

Publikimi i dokumenteve nisi rreth orës 16:00 të ditës së djeshme, pas muajsh rezistence dhe debatesh të forta politike, si dhe pas miratimit të një ligji që detyronte Departamentin e Drejtësisë të vepronte. Materialet përfshijnë emrat e të paktën 1 mijë e 200 viktimave, por shumica janë të censuruar.

Në dosje ndodhet një listë me 254 “masazhatore”, si dhe një agjendë kontaktesh që përshkruhet si një “who is who” i elitës globale. Edhe pse nuk ekziston zyrtarisht një “listë klientësh”, disa faqe përmendin të ashtuquajturit “masazhe për mysafirët”, të cilët, po të mos ishin censuruar, mund të zbulonin emra shumë të njohur dhe potencialisht komprometues.

Faqja zyrtare e Departamentit të Drejtësisë u mbingarkua menjëherë pas publikimit, duke shfaqur mesazhin: “Jeni në radhë. Po regjistrojmë një volum jashtëzakonisht të lartë kërkesash. Faleminderit për durimin”.

Detaje tronditëse nga dosjet

Disa dokumente hedhin dritë mbi mekanizmin e abuzimeve. Sipas njërit prej tyre, mes viteve 1999 dhe 2002, me ndihmën dhe pjesëmarrjen e Ghislaine Maxwell, Epstein abuzoi seksualisht me Virginia Giuffrè në disa vende. Ndërsa nga viti 2001 deri në 2007, me ndihmën e disa bashkëpunëtorëve, ai abuzoi me mbi 30 vajza të mitura. Dosjet përmendin edhe intimidimin e viktimave për t’i detyruar të heshtnin.

Një tjetër dokument tregon se Epstein ishte plotësisht i vetëdijshëm për moshën e viktimave dhe për faktin se po kryente krime, duke i nxitur ato të rekrutonin vajza të tjera për akte seksuale kundrejt pagesës.

Një agjendë me emra të njohur

Agjenda e kontakteve të Epstein përfshin emra të shumtë të politikës, biznesit dhe showbiz-it botëror, si José Aznar, Tony Blair, Michael Bloomberg, Naomi Campbell, Duka i York-ut, Leonardo Ferragamo, Ralph Fiennes, Dustin Hoffman, Mick Jagger, Ted Kennedy, Henry Kissinger, Rupert Murdoch, Peter Soros, Bob Weinstein etj.. Autoritetet theksojnë se prania në këtë listë nuk përbën provë për sjellje të paligjshme.

Reagime politike: Akuza për mungesë transparence

Shtëpia e Bardhë deklaroi se publikimi i dokumenteve “tregon se administrata Trump është më transparentja në histori”, duke përmendur edhe thirrjet e presidentit për hetime të mëtejshme ndaj miqve demokratë të Epstein.

Demokratët nuk ndajnë të njëjtin mendim. Deputeti Ro Khanna, nismëtari i ligjit për publikimin e dosjeve, e cilësoi procesin “zhgënjyes dhe jo transparent”, duke kërkuar shpjegime pse jo të gjitha dokumentet janë publikuar dhe pse shumë prej tyre janë të censuruara.

Qëndrim të ngjashëm mbajti edhe republikani Thomas Massie. Të dy kanë paralajmëruar se, në mungesë të përgjigjeve, mund të kërkojnë procedura shkarkimi ndaj sekretares së Drejtësisë, Pam Bondi.

Denoncim i vitit 1996 i injoruar nga FBI

Mes dokumenteve të publikuara ndodhet edhe një denoncim për pedopornografi i vitit 1996, të cilin FBI-ja nuk e ka ndjekur kurrë.

Sipas New York Times, një grua që kishte punuar për Epstein kishte paraqitur ankesë në atë kohë, rreth dhjetë vjet përpara nisjes së hetimeve të para, por çështja u mbyll pa asnjë veprim.

Për më tepër, disa hetues e kishin akuzuar denoncuesen, Maria Farmer, se kishte trilluar historinë.

“Kam pritur 30 vjet. Nuk mund ta besoj. Tani nuk mund të më quajnë më gënjeshtare”, u shpreh ajo pak orë pas publikimit të dokumenteve.