Prokuroria e Fierit ka shpallur moskompetencën për dosjen “Bankers”, e cila tashmë do t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme (SPAK).
Prokuroria ka lëshuar 14 masa sigurie penale, përfshirë 9 masa shtrënguese ndaj drejtuesve aktualë dhe ish-drejtuesve të kompanisë, si dhe 5 urdhër-arreste për shtetas që aktualisht janë në kërkim, pas një hetimi ë zbuloi një skemë mashtrimi shumëvjeçar nga kompania kanadeze “Bankers Petroleum Albania Ltd”, e cila operon në fushën e nxjerrjes dhe tregtimit të naftës në vendin tonë.
Sipas hetimeve paraprake, kompania “Bankers Petroleum Albania Ltd” rezulton të ketë dalë me humbje për çdo vit nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024 – një periudhë 20-vjeçare gjatë së cilës shteti shqiptar nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga fitimet e kësaj kompanie, ndonëse ajo ka nxjerrë dhe tregtuar sasi të mëdha nafte në zonat e Patos-Marinzës në Fier.
Nga të dhënat e grumbulluara rezulton se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën prej mbi 532 miliardë lekësh, ndërkohë që ka deklaruar shpenzime që tejkalojnë këto të ardhura, duke dalë çdo vit me humbje. Në këtë mënyrë, ajo ka shmangur pagesën e tatimit mbi fitimin dhe dyshohet se ka përfituar rimbursime fiktive të TVSH-së në shuma që arrijnë në miliona euro.
Nga hetimi rezulton se kompania dyshohet të ketë manipuluar bilancet financiare përmes rritjes fiktive të shpenzimeve, me qëllim shmangien e detyrimeve tatimore. Prokuroria thotë se janë përdorur dokumente të falsifikuara dhe janë kryer transaksione financiare të dyshimta me kompani dhe individë brenda dhe jashtë vendit. Skemat janë ndihmuar edhe nga kontraktorë të tjerë, duke përfshirë një rrjet të gjerë bashkëpunëtorësh.