Prokuroria e Posaçme ka dhënë sot pretencën për të pandehurit, që janë pjesë e dosjes “5D”, që çuan në pranga disa drejtorë të Bashkisë Tiranë, si Redi Molla, Mariglen Qato apo Taulant Tushe.
Në seancën e mbajtur sot, SPAK kërkoi një vit burg për Deborah Keçin, drejtoreshën e Klubit Sportiv Tirana, por për shkak të gjykimit të shkurtuar reduktohet në 8 muaj.
Por njëkohësisht SPAK ka kërkuar që dënimi i saj të konvertohet në shërbim prove për 2 vjet dhe gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Për anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave Teuta Guri, Renaldo Gjerazi dhe Gentjan Meraj, prokurori i posaçëm Klodian Braho kërkoi dënimin me 9 muaj burg, në aplikim të gjykimit të shkurtuar 6 muaj. Për të tre u kërkua edhe pezullim me afat dy vjeçar qe gjatë kësaj kohe të mos ushtrojë vepër tjetër penale si dhe u dha dënim plotësues që për 5 vite të mos ushtrojnë funksione publike. Ata akuzohen vetëm për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet e kryera është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor “Klubi Sportiv Tirana”, institucion në varësi të Bashkisë Tiranë, në bashkëpunim me të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave kanë krijuar për operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k avantazhe dhe privilegje të padrejta në procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion Palestra e Mundjes” të zhvilluar në datën 09.12.2020.
Nga provat e mbledhura gjatë hetimeve, është provuar fakti se e pandehura Deborah Keçi, në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor është dakortësuar me përfaqësuesin e operatorit ekonomik “V.A.S Konstruksion” sh.p.k për ta shpallur fitues të procedurës së prokurimit që në fazën e përgatitjes së dokumenteve, ende pa u shpallur procedura.
Të pandehurit Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Rejnaldo Gjerazi, në cilësinë e anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, nuk kanë ushtruar në përputhje me ligjin detyrën e tyre për vlerësimin dhe klasifikimin e ofertave, por kanë vlerësuar dhe klasifikuar në kundërshtim me rregullat e prokurimit publik operatorin ekonomik “5D Konstruksion” sh.p.k, i cili ka qënë i paracaktuar për tu shpallur fitues nga e pandehura Deborah Keçi.
Më herët, SPAK dërgoi për gjyq në seancë paraprake, fraksionin e parë të dosjes 5D, ku janë të pandehur ish drejtorët e Bashkisë së Tiranës, Mariglen Qato dhe Redi Molla nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Ish-drejtorët, Redi Molla dhe Mariglen Qato do të gjykohen në këtë proces për tre vepra penale, përkatësisht për korrupsion pasiv, mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash. Kurse Taulant Tushe, Nestor Muhametllari, Albano Janku, Julian Zanaj dhe Enton Punavia do të gjykohen për shkelje të barazisë në tendera.
Ish-zyrtarët e Bashkisë teksa mbanin pozicionin e drejtuesit të Ujësjellësit Kanalizimeve në Bashkinë e Tiranës apo të IMT kanë qenë pronarë de facto të shoqërisë “5D Construction Shpk”. Nga hetimet ka rezultuar që nga viti 2016 deri në vitin 2020 kjo kompani ka përfituar 12 tendera nga UKT, pra pjesë e Bashkisë së Tiranës, Tirana Parking dhe Klubi Sportiv SHA.