Dosja “5D”/ “Kush është Lali Eri?” Jona Bejko dëshmon në GJKKO: Është Erion Veliaj! Ankohet për bisedat e nxjerra në media

Është mbajtur në GJKKO seanca gjyqësore ndaj dosjes “5D”, ku të pandehur janë ish-drejtorët e Bashkisë Tiranë, Redi Molla, Mariglen Qato dhe Taulant Tushe.

Në këtë gjyq ka dëshmuar edhe Jona Bejko, punonjëse e shoqërisë “5D” e cila zbulohet në komunikime teksa flet për një hotel që, sipas saj, pronar është Redi Molla.

Gjithashtu, në një prej mesazheve të saj, Bejko përmend edhe “Lali Erin” të cilin e identifikon si aksioner të hotelit në fjalë. “Këtë hotelin po e bëjmë ne. Është aksioner pronari jonë, Lali Eri e këta”, është mesazhi i Bejkos.

Pyetjes së SPAK se kujt i referohet me “Lali Eri” ajo thotë se e ka fjalën për Erion Veliajn.

Jona Bejko: Llogarisja kostot e objekteve për kostot civile. Merresha me tenderat e prokurimit publik.  Për tu punësuar kam parë njoftimin online. Më intervistoi Nestor Muhametllari. Paga ishte 60 mijë lekë. Redi Mollën nuk e njoh personalisht. Fizikisht, në dijeninë time, nuk e kam parë. As Mariglen Qaton nuk e njoh.

SPAK: Në bisedat e Ëhatsapp, ti bisedon me Jonida Hoxhën, kush është?

Jona Bejko: Jonida Hoxha ishte shefe finance, e kisha shumë shoqe.

SPAK: Në komunikimet tuaja përmendi shpesh një person me emrin Redi ose R, kush është?

Jona Bejko: Redi Molla.

SPAK: Po M?

Jona Bejko: Mariglen Qato. I referohesha me iniciale sepse ashtu i thërriste.

SPAK: Gjatë bisedave me Jonida Hoxhën, kur thoni që ne marrim 600 mijë lekë të qelbura, kurse pronari me hotel në Dhërmi. Kush është pronari?

Jona Bejko: Kam hamendësuar që shoqëria ka pasur pronar Redi Mollën. Kisha dëgjuar, nuk e dija që ishte ai. Nuk e kam parë asnjëherë te kompania. Jam ankuar për rrogën, sepse ishte pak dhe ne kishim shumë punë.

SPAK: Po kur përmendni Lali Eri, kujt i referoheni?

Jona Bejko: Më keni bërë bisedë mediatike, tani e 1 vit. Babi im me kancer lexon mesazhet dhe kam 6 muaj që kam nisur punë tjetër e më përndjek akoma kjo histori. Unë kam bërë bisedë siç do bënte gjithkush me dikë që e konsideron shoqe.

SPAK: Kush është Lali Eri?

Jona Bejko: Erion Veliaj