Lëvizja Bashkë ka zhvilluar ditën e sotme para Parlamentit protestën kundër korrupsionit, ku i ka kërkuar mazhorancës të dorëzojë zv.kryeministren Belinda Balluku para drejtësisë.
Protestës iu bashkua edhe deputeti i kësaj partie, Redi Muçi, sapo përfundoi seanca plenare, e shoqëruar me tensione të shumta.
Me pankartat “Dorëzoni Belindën”, “Taksoni dhjamin, jo djersën” e të tjera, protestuesit bënë thirrje për rrëzimin e qeverisë.
Kreu i Lëvizjes Bashkë, Arlind Qori, tha se qytetarët duhet të bashkohen për të rrëzuar këtë qeveri dhe për të bërë një shtet të drejtë dhe demokratik
“A mund ta përfytyrojmë Shqipërinë si një vend, ku personat me aftësi ndryshe, nuk marrin lëmoshë 10 mijë lekë nga shteti, por integrohen tërësisht në jetën ekonomike dhe sociale të vendit, a mund ta përfytyrojmë Shqipërinë, si një vend ku nuk duhet 100-150vite jetë ku të paguhej kredia për shtëpinë, a mund ta përfytyrojmë Shqipërinë, si një vend ku lulëzon e zhvillohet sporti, shkenca, arti, filozofia, ku demokracia nuk është pallavër, por realitet konkret që ndërtohet përditë nga qytetarë aktivë nga vendi ynë. Përfytyrimi ynë është i rrezikshëm për ata që kanë pushtetin politik dhe monopolet ekonomike. Ata e dinë më mirë se ne, se përfytyrimi ynë është realiteti i nesërm. Ky përfytyrim mund të bëhet realitet, jo me sytë nga qielli, jo duke ëndërruar delta force që do na shpëtojnë si vend, por duke pasur më shumë besim te njëri-tjetri, duke u bashkuar të gjithë si një grusht, për t’i përzënë zuzarët nga qeverisja dhe për t’i hapur shtegut, ndërtimit të një shteti të drejtë, demokratik, social, që i mundëson qytetarëve të vet të jetojnë me dinjitet”, tha Qori.