Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka qenë sot në një vizitë në Drejtorinë Vendore të Policisë në Korçë ku kishte edhe një këshillë për ish-të dënuarit që përfituan nga Amnistia Penale dhe tashmë janë të lirë.
Duke marrë shkas rastin e Ardian Isufit, i cili sapo u lirua nga burgu i Drenovës, menjëherë kreu një tjetër vjedhje, Balla kishte edhe një këshillë për të gjithë ata që përfituan nga Amnistia, që t’i rikthehen jetës normale dhe të qëndrojnë larg veprave penael.
‘Në këtë aspekt dua tju rikujtoj personave që kanë përfituar nga amnistia që është në të mirën e tyre që dorën e ngrohtë të shoqërisë përmes amnistisë mos e marrin si dobësi por si mesazh që ti rikthehen një jete normale larg veprave penale. Policia e shtetit në komunikim me drejtorinë e përgjithshme të burgjeve po administron të gjithë emrat e personave që janë përfitues dhe do të ketë një monitorim të secilit prej tyre në mënyrë që të shmangen ngjarjet kriminale’,– tha Balla.
Balla foli edhe për protestën e opozitës para Bashkisë së Tiranës, pas arrestimit të drejtorëve dhe ish-drejtorëve për aferë “5D”.
Ai u shpreh se arsyen e protestës e dhanë vetë protestuesit, të cilët bënë thirrje që të lirohej Sali Berisha, i cili prej dhjetorit të 2023 ndodhet në arrest shtëpie për dosjen “Partizani”.