DOKUMENTI/ Kreu i Bashkisë së Patosit ende i martuar me të kërkuarën për korrupsion, PS dhe SPAK asnjë reagim

Pak ditë më parë Media Ditar.al publikoi lajmin se bashkëshortja e kreut të ri të Bashkisë së Patosit, Fation Duro, është në kërkim nga Drejtësia Shqiptare me akuzën e shpërdorimit të detyrës pasi dyshohet për korrupsion gjatë kohës që drejtonte Kadastrën e Sarandës.

Ditar.al kërkoi nga Fation Duro një shpjegim, por ai refuzoi. Ndërkohë, nuk ka ende asnjë reagim si nga Partia Socialiste, ashtu edhe nga Prokuroria e Posaçme për këtë çështje. Të gjithë kanë vendosur të heshtin, por ne jo. Më poshtë po publikojmë dokumentin e marrë nga Gjendja Civile ku vërtetohet se Fation Duro dhe Kozeta Statha janë ende të martuar. Pra, kryetari i ri i Bashkisë së Patozit është bashkëshorti i një të kërkuare të Drejtësisë.

Gjithashtu ka dyshime se ai është larguar me bashkëshorten drejt Britanisë së Madhe kur ajo ishte në kërkim, ç’ka përbën shkelje ligji. Ndërkohë, qytetarët e Patosit presin një shpjegim nga kryetari i rid he nga organet e Drejtësisë.

Por kush është Kozeta Statha?

Kozeta Statha ka një karrierë të gjatë në sektorit publik. Ajo ka studiuar në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit, Dega Ndërtim. Siç publikon vetë ajo në rrjetin Linkedin, ka shërbyer si asistente e nënkryetarit së Kuvendit të Shqipërisë në vitet 2013-2015. Më pas do të shkonte pranë OSHEE si specialiste dhe tek Albpetrol, deri në vitin 2018.

Ajo u zgjodh si anëtare e Këshillit Bashkiak të Sarandës më 2015 nga lista e PBDNJ-së dhe në janar 2018, do të emërohej si drejtuesja e re e Portit të Sarandës. Në korrik të 2020, Kozeta Spatha u emërua në krye të Kadastrës së Sarandës.

Më 24 mars 2022, Policia e Sarandës finalizoi operacionin ‘heshtja 2” për të zbatuar 4 masa arresti me burg të Gjykatës së Sarandës. Policia arriti të arrestojë 3 ish zyrtarë të ASHK me përjashtim të Kozeta Stathës, e cila vendosi të arratiset dhe të jetë në kërkim që prej asaj dite.

Referuar njoftimit zyrtar të Policisë, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë shpërdoruar detyrën duke pajisur në mënyrë të kundërligjshme, me certifikata pronësie, disa shtetas, për pasuri, tokë dhe prona, në zonat bregdetare të qytetit të Sarandës dhe të Ksamilit. Ndërsa kolegët e saj janë në gjykim, Kozeta Spatha është larguar nga Shqipëria duke refuzuar të përballet me drejtësinë.

Gjykata e Sarandës i ka vendosur Kozeta Stathës masën e arrestit në burg dhe ndodhet e shpallur në kërkim nga organet ligjzbatuese.

Ndërkaq, referuar formularit të dekriminalizimit të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Fation Duro shënon faktin se ka jetuar në datat 17.10.2022 deri 12.02.2023 në Britaninë e Madhe si dhe jep adresën e saktë të vendbanimit të tij, ç’ka dyshohet se çifti i ri u larguan së bashku nga Shqipëria. Planet ranë rrugës pasi Duros i doli emrin për të kandiduar në Patos.