Dje ekzekutoi gruan dhe e hodhi në gropën septike, sot 55vjeçari nga Maliqi hap zjarr ndaj Policisë dhe më pas vetëvritet

Gjergj Mullalliu, 55 vjeçari nga Maliqi që ditën e djeshme vrau bashkëshorten me armë zjarri dhe më pas e hodhi në gropën septike, sot është vetëvrarë.

Policia njofton se e lokalizuan autorin në një banesë të braktisur, por ai hapi disa herë zjar ndaj punonjësve të Policisë. Më pas, duke parë se nuk mund të arratisej, ai ka vrarë veten.

Mullalliu dhe bashkëshortja e tij ishin në proces divorci dhe gruaja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje për shkak të dhunës. Konfliktet mes çiftit, prindër të tre fëmijëve shkuan deri aty derisa ditën e djeshme, 55-vjeçari e vrau gruan me armë zjarri dhe e hodhi në një gropë septike, pranë banesës.

Noftimi i Policisë:

Pas kërkimeve të pandërprera dhe kontrollit të territorit me qëllim kapjen e shtetasit Gj. M., i cili një ditë më parë vrau me armë zjarri bashkëshorten e tij, shërbimet e Policisë të DVP Korçë dhe Komisariatit të Policisë Maliq bënë të mundur lokalizimin në një banesë të braktisur, në fshatin Zëmblak, të këtij shtetasi.

Sapo ka konstatuar se ka qenë i rrethuar nga forcat e Policisë 55-vjeçari, ka hapur disa herë zjarr ndaj punonjësve të Policisë.

Pas thirrjeve të njëpasnjëshme të  Policisë për t’u dorëzuar, ky shtetas është vetëvrarë. 

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të kryer veprime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje.