Një 27 vjeçar është marrë peng dhe dhunuar nga disa persona, me qëllim që t’iu jepte 5 mijë euro.
Policia e Tiranës njofton se ka identifikuar 5 autorët, 2 prej të cilëve janë arrestuar Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani, ndërsa janë shpallur në kërkim tre bashkëpunëtorët.
Në pranga ka rënë edhe babai i një prej të arrestuarve pasi në banesë, forcat e policisë i gjetën 1 armë zjarri me municion luftarak.
Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Ndërkohë është gjetur edhe shuma e parave që 5 autorët i morën me dhunë 27 vjeçarit.
Njoftimi i policisë:
DVP Tiranë/Finalizohet nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, operacioni i koduar “Kufizimi”.
I hoqën lirinë për disa orë, një 27-vjeçari, dhe e dhunuan fizikisht atë, në një apartament, që t’iu jepte 5000 euro, identifikohen 5 shtetas. Vihen në pranga 2 prej tyre, shpallen në kërkim 3 bashkëpunëtorët.
Vihet në pranga dhe babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë, 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak.
Sekuestrohen pistoleta, 5000 euro, 6 celularë dhe 1 automjet.
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshoh7et shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.