Disa mësime nga Euro 2024

Dr. Ermal Hasimja

Ne jemi hipokritë dhe mosmirënjohës. Nga 26 futbollistët e Kombëtares që na bënë krenarë në Gjermani ne nuk i njohim të drejtën e votës asnjërit. Shkurt, njësoj si 1-2 milionë shqiptarë të tjerë të ikur nga ky vend, ne ia njohim shqiptarësinë diasporës vetëm kur na duhet neve.

As qeveria e as Federata nuk duket se kishin ndonjë strategji komunikimi për të shfrytëzuar rastin e mrekullueshëm për t’i bërë reklamë Shqipërisë. Nëse e kishin, paska qenë e padukshme. Tifozët shqiptarë shpenzuan dhjetëra miliona euro nga xhepat e tyre për të dhënë një imazh shumë pozitiv, krejt ndryshe nga imazhi që i ka dhënë Shqipërisë politika dhe mafia.

Në Dortmund, Hamburg e Dyseldof, imazhi më i bukur i Shqipërisë ishin valltarë e tupanxhinj nga Kosova që ndezën vallet tradicionale duke bërë që kërcejnë me ta edhe tifozët kundërshtarë dhe duke tërhequr vëmendjen e dhjetëra gazetarëve të huaj. Teksa lumi i tifozëve parakalonte në rrugët e Gjermanisë vetë gjermanët bënin foto të mrekulluar nga dritaret e ballkonet e tyre.

A nuk mundej qeveria shqiptare që të financonte 4-5 grupe valltarësh për të bërë shumë herë më bukur pikërisht atë që bënë modestisht, por plot dashuri tifozët kosovarë? A nuk mundej federata të mendonte një strategji komunikimi për të njehsuar imazhin e bukur të tifozëve e kombëtares me imazhin e vendit? Ndoshta nuk ishte detyra e tyre. Por a mos ishte kjo detyra e valltarëve e tupanxhinjve kosovarë? Apo mos ishte detyra e mbi 100.000 tifozëve shqiptarë nga gjithë bota që kënduan, kërcyen, përqafuan tifozët e Italisë, Kroacisë e Spanjës pikërisht për t’i treguar botës se jemi popull i qytetëruar që meritojmë të jemi në Evropë?! Detyra për të ngritur lart imazhin e vendit tonë është detyrë e kujtdo dhe sidomos e atyre që u paguajmë taksa.

Pjesa dërrmuese e tifozëve të Kombëtares ishin shqiptarë të Kosovës. Mbi të gjitha, pjesa më e flaktë. Uroj të vijë ajo ditë kur ne ta duam Shqipërinë po aq sa e duan edhe shqiptarët e Kosovës.

Pothuajse gjysma e tifozëve të Kombëtares flisnin në gjuhë të huaj me njeri-tjetrin, kryesisht gjermanisht. Pas 2-3 kampionatesh evropianë fëmijët e tyre vështirë se do të bëjnë tifozllëk për Kombëtaren tonë. Përtej shfaqjeve me kongrese diaspore e vizitash mbushur me “diasporistë” profesionistë të sjellë me listë ndërmarrjeje shtetërore nga Shqipëria a mos duhet që qeveria e Shqipërisë dhe Kosovës të punojnë realisht për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës shqiptare dhe mbi të gjithë për të nxitur dashurinë për vendin e të parëve?

Thirrja më e bukur e përdorur kudo nëpër Gjermani ishte “oj shqipe”. Shqiptarët kanë sajuar një fjalë të re për t’u ikur kufizimeve terminologjike formale. “Shqipe” nuk do të thotë shtetas i Shqipërisë apo Kosovës, nuk do të thotë madje as shqiptar. Do të thote thjesht e bukur “vëllai im shqiptar”.