“Dil nga guacka se do humbasësh Veriun”, Rama sërish kundër Kurtit: Serbia nuk jeton dot pa u ri-izoluar

Kryeministri Edi Rama i ka dërguar sot një mesazh Serbisë ku po vijojnë të mbahen tre policët e Kosovës në paraburgim.

Në një reagim të radhës në Twitter, kreu i qeverisë paralajmëron Serbinë se nëse tre efektivët nuk lirohen, kjo do të jetë java e “rikthimit të akullit” mes dy vendeve.

Nga ana tjetër, Rama i bën thirrje homologut Albin Kurti që të mos e humbasë Veriun, “duke parë kudo armiq e tradhtarë.”

Nëse situata në Veri nuk qetësohet, shton kryeministri, e humbura do të jetë Kosova.

Postimi i plotë:

Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!
Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës!
E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!