Mbrojtja e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliajt ka shpërndarë një qëndrim në lidhje me hetimet që po bëhen nga ana e Prokurorisë së Posaçme.
Teksa kjo e fundit në një njoftim zyrtar tha se ka të dhëna konkrete për 4 vepra penale që po hetonte, për Veliajn hetimi është keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin.
Në qëndrim ku renditen 8 pika që rrëzojnë argumentet e SPAK, mbrojtja thotë së Erion Veliaj dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”.
Sipas mbrojtjes së Veliajt, procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
Pala mbrojtëse pretendon se hetimet janë bërë në tejkalim të afateve, ndërkohë që janë intimiduar personat e thirrur me statusin e “personit që ka dijeni”.
Përmes argumenteve të mbrojtjes, kryebashkiaku Erion Veliaj del kundër SPAK edhe pse kur në muajin prill ai u pyet për 7 orë nga prokurorët e posaçëm, këta të fundit ai i quajti kolegë.
“U thanë dhe disa detaje të tjera. Të dy kolegët hetues më kërkuan që për çështje të hetimit dhe të sekretit hetimor duke qenë se bashkia ka dërguar dhe disa detaje të tjera, më kërkuan që të mos i ndaj me gazetarët disa detaje. Ndihem mirë që sot unë dhe ata që më duan ndihen të lehtësuar. Besoj se armiqtë e mi ndihen më të lehtësuar. Se unë besoj që një njeri duhet vlerësuar dhe nga armiqtë që bën. Çdo koment tjetër do t’ua jap pasi të mbaroj mbledhjen e këshillit bashkiak”- u shpreh në muajin prill Erion Veliaj.
Argumentet e Mbrojtjes së Erion Veliajt:
Hetim keqdashës, i qëllimshëm dhe në kundërshtim me ligjin
1.Nisja e procesit hetimor pa dyshim të arsyeshëm
•Procesi hetimor është iniciuar mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të dhënave të supozuara (fiktive), pa u paraqitur prova ose indicie të mjaftueshme që të krijojnë dyshimin e arsyeshëm ligjor.
•Nuk kuptohet qartë vepra penale për të cilën është kallëzuar ose dyshohet EV.
•Nëse kallëzimi është bërë konkretisht në emër të EV, prokurori kishte detyrimin ligjor ta regjistronte emrin e tij në regjistrin e veprave penale. Nga ai moment duhej të fillonte edhe llogaritja e afatit gjashtëmujor të hetimit.
2.Fshehja e faktit të vendosjes në hetim të EV dhe familjes
•EV dhe familja e tij janë vënë në hetim faktik që në muajin mars 2024, por ky fakt është mbajtur i fshehtë nga Prokuroria, me pretendimin se hetimi po bëhej “për veprën penale” dhe jo “kundër personit”.
•Megjithatë, veprimet hetimore të kryera kanë qenë të përqendruara realisht te persona konkretë, duke krijuar situatën e një hetimi substantivisht individual ndaj EV (dhe të tjerëve), pa e njoftuar zyrtarisht këtë status.
3.Kërkesa për kontrolle dhe sekuestrimin e telefonave pa mandat
•Prokuroria ka kërkuar kontrolle dhe ka kryer sekuestrimin e telefonave, në mungesë të një urdhri të posaçëm gjyqësor (mandati), duke shkelur procedurën ligjore në fuqi.
•Telefoni është marrë jo vetëm pa vendim gjykate (madje gjykata nuk e ka pranuar kërkesën e prokurorit), por edhe pa pëlqimin e përdoruesit. Ai nuk është sekuestruar si një objekt me të cilin është kryer një vepër penale, por me qëllimin për të kërkuar të dhëna që mund të përdoreshin në një vepër të supozuar. Me fjalë të tjera, ka qenë një sekuestrim në kërkim të veprës, jo i provës për një vepër penale të përcaktuar.
4.Intimidimi dhe dhuna agresive ndaj të thirrurve si “persona në dijeni”
•Personat e thirrur me cilësimin “persona në dijeni” janë përballur me qasje kërcënuese dhe dhunë të stilit “sigurims”, duke u detyruar përmes presioneve dhe frikësimit të dëshmojnë kundër vetes.
5.Keqpërdorimi i cilësimit “persona në dijeni” për EV dhe AX
•Edhe pse EV dhe AX janë de facto nën hetim, janë thirrur nga Prokuroria si “persona në dijeni” me qëllim që t’i detyrojnë të dëshmojnë kundër vetes ose anëtarëve të familjes, duke i privuar kështu nga e drejta e detyrueshme për avokat mbrojtës.
6.Tejkalimi i afateve hetimore
•Afatet hetimore janë tejkaluar. Sipas ligjit, periudha gjashtëmujore e hetimit duhet të fillojë që në momentin kur ndaj EV dhe AX kanë nisur veprimet hetimore specifike, e jo më vonë.
7.“Fishing expedition”
•Hetimi duket i qëllimtë ndaj një individi, jo për një vepër penale të caktuar, por për vetë personin (EV), me synimin për ta kapur medoemos në një shkelje, qoftë penale apo administrative.
8.Dalja në media e informacioneve mbi hetimin
•Informacione të ndryshme lidhur me hetimin janë transmetuar në media, duke krijuar hapësirë për interpretime keqdashëse dhe denigruese ndaj figurës së kryetarit të bashkisë. Kjo ka nxitur një perceptim publik të fajësisë së EV, duke dëmtuar parimin e prezumimit të pafajësisë dhe duke cenuar barazinë e palëve në proces.
•Një veprim i tillë mund të përbëjë shkelje të rënda, qoftë përmes dashjes apo neglizhencës, pasi përbën keqadministrim të hetimit dhe dëmton integritetin e procedurës penale.