Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Deni Selimllarin, djalin e ish-missit shqiptar Valbona Selimllari, i cili akuzohet se ka dhunuar një efektiv police, bashkë me vëllain e tij.
Ky i fundit është lënë në masën “detyrim paraqitje”.
Dy vëllezërit, Deni dhe Kejni Selimllari, përkatësisht 21 dhe 18 vjeç, u arrestuan në orët e para të mëngjesit të se shtunes pas një incidenti të dhunshëm në zonën e Bllokut, në kryeqytet.
Në gjendje të dehur, ata krijuan trazira në një lokal nate dhe pasi kanë dal kanë dhunuar efektivin, i cili kishte ndërhyrë për të qetësuar situatën.
Pas shoqërimit në Komisariatin Nr. 2, ata vazhduan me incidente, duke thyer kamerën e sigurisë, dëmtuar derën e dhomës së shoqërimit dhe kërcënuar efektivët që ndodheshin aty.
Vendimi i Gjykatës:
V E N D O S I :
- Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë të shtetasve D. S.dhe K. S. si të dyshuar për kryejen e veprave penale të “Goditje për shkak të detyës”, “Kanosje për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrim prone me dashje”, parashikuar nga nenet 237/3, 238/3, 150 dhe 25, të Kodit Penal.
- Caktimin e masës sigurimi me karakter shtrëngues ndaj shtetasit D. S., atë të “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale.
- Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale ndaj të arrestuarit K. S..
- Detyrohet i arrestuari K. S. që në zbatim të këtij vendimi gjyqësor të paraqitet, pranë oficerit të policisë gjyqësore të martën e parë të cdo muaji, ora 11:00.
- Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të arrestuarit K. S. nga dhomat e paraburgimit, nëse ai nuk mbahet për ndonjë vepër tjetër penale apo për ndonjë dënim të dhënë me vendim gjyqësor.
- Urdhërohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe Policia Gjyqësore, për ekzekutimin e menjëhershëm të këtij vendimi.
- Kundër këtij vendimi lejohet ankim brenda 5 (pesë) ditëve në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm , duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi të arsyetuar.
-U shpall në Tiranë sot më datë 06.10.2025