Dhuna e fisit Rraja, lirohen nga puna drejtuesit e policisë Krujë dhe transferohen 26 policë

Pas videos së dhunshme ku fisi Rraja tregonte “forcën” e vet me dy qytetarë që ishin ankuar se gurorja e tyre u prishte shtëpitë, janë liruar nga puna drejtuesit e policisë së krujës dhe janë transferuar 26 punonjës të këtij komisariati në komisariate të tjera.

Drejtori Muhamet Rrumbullaku ka firmosur caktimin në detyrë të 3 drejtuesve të tjerë, thuhet në njoftimin e policisë, “me qëllim arritjen e rezultateve më të mira në luftën kundër krimit në përgjithësi, kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike, si dhe krimeve kundër jetës e pronës”.

Kështu konkretisht Rrumbullaku ka vendosur:

–              Lirimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Krujë Komisar Elton Shahini dhe emërimin në këtë detyrë të Komisar Kreshnik Alimadhi.

–              Lirimin nga detyra të Zëvendësshefit të  Komisariatit/Shef për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, Nënkomisar Ajet Bega dhe emërimin në këtë detyrë të  Nënkomisar Sadik Topuzi,

–              Lirimin nga detyra të Shefit të Seksionit në Seksionin e Patrullës së Përgjithshme, në Komisariatin e Policisë Krujë nënkomisar Anri Nazaj dhe emërimin në këtë detyrë të Nënkomisar Dashamir Ilamaj

–              Transferimin e menjëhershëm të 26 punonjësve të Policisë të nivelit zbatues, pjesë të strukturave të njësisë operacionale, të strukturës së Policimit në Komunitet dhe të  Patrullës së Përgjithshme.

Ndryshimet e fundit, nuk erdhën vetëm si pasojë e ngjarjes së datës 06.07.2023, por dhe si rrjedhojë e një analize të gjerë të punës të bërë për 6-mujorin e  parë të vitit 2023, bazuar në statistikat e kriminalitetit dhe problematikave të tjera të rendit e sigurisë, ku një numër personash me precedent kriminal, banorë të juridiksionit territorial që mbulon Komisariati i Policisë Krujë, janë përfshirë në ngjarje të ndryshme kriminale me impakt tek qytetarët.

Nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë duke qenë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë, janë komanduar në Komisariatin e  Policisë Krujë një trupë policore e repartit special Shqiponja dhe Shigjeta, me qëllim kontrollin më të mirë të territorit dhe për një reagim më të shpejtë në rast problematikash.