Dhomat e konvikteve jepen me mik? Policia largon me dhunë studentët, terror në “Qytetin Studenti”

Një situatë e pazakontë ka ndodhur këtë të enjte në Qytetin Studenti. Studentët që kërkonin të regjistroheshin për akomodim në Rezidencën Studentore Universitare Nr. 1 janë përplasur me efektivët e policisë.

Këta të fundit i kanë larguar me forcë studentët, madje duke i shtyrë në shkallë.

Në vend që situata e akomodimit të ishte e garantuar, studentët përballen me përbuzjen dhe forcën e institucioneve, të cilat dhe dhomat e konvikteve duket që kanë zgjedhur t’i shpërndajnë me miqësi.

Pas skandalit dhe dhunimit të studentëve, momemnte që u publikuan dhe në media, ka reaguar edhe Rezidenca Studentore.

Ky institucion pretendon se tensionet u shkaktuan nga fluksi i pazakontë i aplikimeve për regjistrim në Godinën Nr. 3, e cila sapo është rikonstruktuar dhe ofron një kapacitet prej vetëm 61 vendesh (30 dhoma dyshe dhe 1 vend për persona me aftësi ndryshe).

Sipas tyre, numri i aplikantëve arriti në rreth 300 studentë, duke tejkaluar shumëfish kapacitetin dhe duke sjellë përplasje gjatë procesit të regjistrimit.

Megjithatë, përkundër shfajësimeve dhe propagandës, studentët vijojnë të përballen me dhunën institucionale pasi kërkesat e tyre jo vetëm që nuk respektohen, por nëpërkëmben dhe shkelen çdo ditë.