Dhjetëra shqiptarë arrestohen nga operacioni masiv i policisë në Greqi, akuzohen për 480 vjedhje

Gjashtë grupe kriminale janë goditur nga policia greke, duke bërë që dhjetëra shqiptarë që ishin pjesë e tyre të vihen pas hekurave.

Operacioni masiv nisi tre ditë më parë ndërsa personat akuzohen si pjestarë të grupeve që kanë kryer të paktën 480 vjedhje në mjetet e transportit public dhe në vende turistike, 120 vjedhje në makina, shitje droge dhe qarkullim të kartmonedhave false.

Në prangat e policisë greke kanë rënë 50 persona dhe janë identifikuar 187 të tjerë. Nga këta të fundit, 6 ndodhen të burgosur, ndërsa 1 person rezulton i ekstraduar jashtë Greqisë.

Gjatë hetimeve është zbuluar se pjesë e këtyre grupeve është dhe autori shqiptar i plagosjes së tre të rinjve nga Kreta në 16 dhjetor në Gazi të Athinës, ndërkohë që është zbuluar edhe vrasja e një të huaji e ndodhur në Athinë në 8 mars.

Gjatë operacionit janë sekuestruar 73 mijë 725 euro, 697 dollarë, mbi 16 kg marijuanë, rreth 159 gram kokainë, rreth 18 gram heroinë, droga të tjera, 3 armë zjarri dhe 3 karabina, 14 armë të ftohta, 3 jelekë antiplumb, 8 automjete dhe 8 motorra si dhe shumë municion, sende të vjedhura, para false e materiale të tjera.