DETAJET E DOSJES/ Gjykatësi nuk pranoi arrestimin e Vangjush Dakos, Apeli i Posaçëm i dha të drejtë prokurorit Kllapi

Detaje të reja kanë dalë nga arrestimi i ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako. Ditari.al mëson se prokurori i SPAK Sotir Kllapi, i cili pas disa muaj hetime në një çështje penale, ka konstatuar parregullsi në procedurat e ndjekura gjatë ndërtimit të një pallati në qytetin e Durrësit.

Për këto paregullsi sipas SPAK, përgjegjës është ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, Drejtoresha Juridike në bashkinë Durrës, Lira Kërtusha dhe 8 persona të tjerë të Urbanistikës,INUV, ALUIZNI, përfshirë këtu dhe një administrator kompanie private, që ka ndërtuar objektin pa lejë në qytetin e Durrësit. Për këtë çështje dy muaj më parë Vangjush Dako u paraqit në SPAK, duke dhënë pretedimet e tij.

Përmes burimeve në SPAK, mësohet se një gjyqtar ka vendosur mospranimin e kërkesës së prokurorisë, për arrestimin e Vangjush Dakos dhe caktimin e masës së sigurisë personale për personat e tjerë.

Pas këtij vendimi, prokurori i SPAK, Sotir Kllapi, këtë javë e ka apeluar Vendimin e Shkallës së Parë në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, duke kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” për Vangjush Dakon dhe disa persona të tjerë.

Ndërsa masa më të buta si “arrest në shtëpi” janë kërkuar për disa nga femrat e proceduara në këtë procedim penal që po hetohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Ndërtimit pa leje” për qëllime përfitimi.

Dako rezulton i kallëzuar në SPAK nga disa banorë të një pallati, objekt i cili më pas u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Dako, është figura kryesore e Partisë Socialiste në qytetin e Durrësit dhe figura më e përfolur lidhur me kontaktet e tij në botën e ktimit në këtë zonë. Vangjush Dako, ka qënë pjesë e verifikimeve në një dosje të SPAK që flet për organizim dhe blerje votash për llogari të PS, në qarkun e Durrësit.

Dako në këtë dosje me nr.339 del në përgjime teksa flet me anëtarë të grupit Avdyli në Shijak për bletjen e votave. Edhe pas shpalljes familjarisht “Non grata” nga autoritetet amerikane “për korrupsion madhor”, Prokuroria për Krime të Rënda e ka marrë sërish në pyetje, por vetëm pak muaj më vonë ky institucion u shkri pas krijimit të SPAK dhe çështja kundër tij, i kaloi Prokurorisë së Posaçme.