Detaje të reja nga operacioni anti-drogë në Tiranë, 15 të arrestuar, dy shpërndarësve iu komunikua urdhër-arresti në qeli

Një operacion i zhvilluar të martën nga Antidroga e Tiranës ka goditur një rrjet të shpërndarjes së lëndëve narkotike në kryeqytet. Si rezultat, 15 persona janë arrestuar, ndërsa për 2 të tjerë akuza është komunikuar në qeli, pasi ata ndodheshin të ndaluar nga operacione të mëparshme.

Autoritetet bëjnë me dije se janë shpallur në kërkim edhe 16 persona të tjerë, të dyshuar si pjesë e të njëjtit grup kriminal.

Grupi merrej me shitjen dhe shpërndarjen e kanabisit dhe kokainës në zona të ndryshme të Tiranës. Aktiviteti i tyre dyshohet se shtrihej edhe pranë shkollave, duke rritur shqetësimin për përhapjen e drogës tek të rinjtë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar doza të lëndëve narkotike, ndërsa hetimet për këtë çështje kishin nisur prej disa muajsh. Procedimi është pjesë e një serie goditjesh të mëparshme, ku përmes përgjimeve dhe analizës së komunikimeve janë identifikuar të dyshuarit dhe është dokumentuar aktiviteti i tyre kriminal.

Policia vijon punën për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe zbardhjen e plotë të rrjetit.