Ervin Mata, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK që prej vitit 2023, është arrestuar në Brazil dje me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë.
Burime zyrtare bëjnë me dije se prej më shumë se dy vitesh, Interpol Tirana kishte siguruar informacione se Mata fshihej në Brazil, ku edhe u lokalizua dhe u vu në pranga nga autoritetet vendase. Ai jetonte mes Brazilit dhe Paraguait, duke lëvizur shpesh mes dy vendeve për t’iu shmangur kapjes.
Në momentin e arrestimit, në periferi të San Paolos, Mata i ka paraqitur policisë dokumente të dyshuara si të falsifikuara nga Paraguai, ku deklaronte vendlindjen në Mbretërinë e Bashkuar. Dokumenti i identifikimit rezultonte me afat vlefshmërie deri në vitin 2030.
Gjithashtu, 39-vjeçari posedonte edhe dokumente të tjera të dyshuara të falsifikuara, përfshirë një pasaportë dhe kartë identiteti bullgare. Sipas burimeve, pasaporta bullgare kishte skaduar në vitin 2024, ndërsa karta e identitetit ishte e vlefshme deri në vitin 2029.
Mata u arrestua së bashku me disa shtetas të tjerë, të dyshuar si pjesë e një rrjeti të narkotrafikut që vepronte në zonë.
Ai akuzohet nga SPAK për përfshirje në trafikun e sasive të mëdha të kokainës dhe për drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal që operonte në disa shtete. Autoritetet shqiptare pritet të nisin procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të aktivitetit kriminal vijojnë.