Kanë dështuar me “sukses” përpjekjet e kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashit për të bindur opozitën për të zhvilluar votim dhe numërim elektronik në qarkun më të madh të vendit, Tiranën, i cili ka gjithsej ka 37 deputetë.
Negociatat e Celibashit nuk ishin të suksesshme pasi Partia Demokratike nuk pranoi që votimi elektronik të shtrihej në nivelin e një qarku.
PD nuk u bind, pavarësisht garancive të KQZ-së se gjatë zgjedhjeve të shkuara përveçse disa sjelljeve të parregullta të operatorëve që ndihmuan zgjedhësit, nuk kishte ndodhur asnjë manipulim me makineritë.
Fillimisht kreu i KQZ-së propozoi që elektronika të shtrihej në pesë qarqet më të mëdha të vendit, por zvarritja e konsensusit nga palët, e bëri këtë të pamundur.
Në fund, KQZ pyeti partitë se ku e donin votimin elektronik, teksa vetë propozoi qarqet Durrës dhe Elbasan. PS, dhe një pjesë e opozitës, si LZHK, kërkuan që nëse do të votohej në këtë formë, duhet të bëhej së pari në qarkun Tiranë.
Por PD, duke treguar se kishte shqetësime nga numërimi elektronik në të shkuarën, nuk dha dakordësi për asnjë qark.
I ndodhur përballë këtyre rrethanave, KQZ pritet të mos bëjë votim elektronik në asnjë zonë zgjedhore, pra një qark të plotë. Megjithëkëtë, procesi si projekt pilot, ose testimi, do të vazhdojë në qarkun Tiranë. Por, testimi nuk do të bëhet në nivel qarku, as bashkie, e as njësie administrative.
Mediat raportojnë se disa qendra votimi do të përzgjidhen në mënyrë të shpërndarë në mbarë Tiranën, në mënyrë që më shumë zgjedhës të testojnë dhe mësojnë këtë formë votimi.
Votimi dhe numërimi elektronik u provua për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2021, në njësinë 10 në kryeqytet. Ndërsa në vitin 2023, u zgjerua në bashkitë Elbasan, Kamëz dhe Vorë.
Pavarësisht se këto makineri janë të shtrenjta, ato mund të prodhojnë rezultat brenda një orë nga mbyllja e votimit, duke shmangur orë e ditë të tëra numërimi, që hera herës prodhonin konflikte.