Deputetja e Partisë Socialiste, Sara Mila është paraqitur paraditen e kësaj të mërkure në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).
Deputetja socialiste është paraqitur e vetme në SPAK, teksa nuk ka dhënë një prononcim për mediat.
Burime për mediat bëjnë me dije se Mila është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, pasi po hetohet për dyshime për korrupsion në zgjedhje.
Hetimet lidhen me dyshime për përdorimin e ndihmës ekonomike dhe përfitimeve të tjera për të ndikuar te votuesit gjatë procesit zgjedhor.
Dosja, sipas raportimit, ka mbërritur në SPAK nga Prokuroria e Elbasanit.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga SPAK lidhur me objektin e plotë të hetimit apo cilësinë në të cilën është thirrur deputetja.