Deputetja e PS dorëzon nismën në Kuvend: Investitorët strategjikë mund të marrin portet pa konkurrim

Partia Socialiste po i bën shërbimin e rradhës të gjithë biznesmenëve që kanë fituar statusin e investitorit strategjik.

Deputetja e Partisë Socialiste Zamira Sinaj ka depozituar në Kuvend një nismë që synon favorizimin e investitorëve strategjikë.

Konkretisht, në nismën e propozuar nga deputetja e majtë e qarkut të Vlorës, investitorët strategjikë do të kenë lehtësira për të krijuar porte turistike në zonat ku edhe janë ndërtuar fshatrat turistikë.

Investitorët strategjikë, do të vijojnë të jetë të privilegjuar pasi do të arrijnë që të marrin portet pa procedura konkurrimi.

Sipas dokumentit, nëse një subjekt ka marrë statusin e “Investitorit Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), dhe porti është pjesë e këtij investimi, ai përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm i garës.

Aktualisht, ligji për portet turistike, parashikon se ndërtimi i tyre bëhet përmes procedurës së koncensionit.

Kjo nismë ka ngjallur debat, ndërsa nuk dihet se cili do jetë qëndrimi i opozitës për këtë rast.

Kujtojmë se pak kohë më parë, qeveria vendosi shtyrjen e afatit për investimet strategjike, në atë që është cilësuar ndryshe si “ligj me porosi”.

Ligji për investimet strategjike që në fillimet e tij është shoqëruar mes akuzave për klientelizëm dhe si favorizues i një grupi të vogël biznesesh dhe emrash “VIP” në Shqipëri, me lidhje të afërta me kryeministrin Edi Rama.