Deputeti Lefter Gështenja tregon si nisi sherri brenda Kryesisë së PD

Deputeti i PD, Lefter Gështenja tregoi në emisionin Now në Euronews Albania si nisi konflikti gjatë mbledhjes së kryesisë së PD që përfundoi me përplasje me militantët mbështetës të Bashës.

Gështenja tha se disa deputetë ishin të acaruar që më herët në një mbledhje të mëparshme, pasi kishin marrë mesazhe nga “dirigjentë” brenda parties. Më pas përplasja në mbledhjen e Kryesisë ndodhi mes deputetëve të grupit parlamentar të PD si Gazment Bardhi, Saimir Korreshi, Dashnor Sula dhe të tjerë që kërkuan që procesi për zgjedhjen e kryetarit të shtrihej në kohë dhe pjesës tjetër të kryesisë, jo deputetë, që këmbëngulnin në datën 15 korrik për zgjedhjen e kryetarit të ri.

“Mbledhja e dytë ishte kolegji i kryetarëve ku unë jam pjesë. Një mbledhje e tensionuar edhe ajo. Shikoj kolegë të mi me të cilët kam punuar më shumë se 10 vjet në opozitë me ta, të acaruar aq shumë nga dirigjentë brenda partisë. Thoshin “këta duan të çojnë partinë, grupi parlamentar do të marrë partinë”. Pas kësaj erdhi mbledhja e Kryesisë. Pati debate konstruktive, kishte paqartësi, artikulohej shumë shpesh nga anëtarë kryesie jo deputetë që grupi parlamentar nuk është dakord me procesin zgjedhor, nuk do të fillojë procesin, duan ta zvarrisin. Ndërkohë që nuk është e vërtetë.

Bardhi ishte i fundit që mori fjalën, ndër ta e ka ndërprerë Gjana, Bejko, Godole që ishin konstruktivë. Gjana dhe Bejko propozuan që palët të dilnin me një vendim konsensual. U ndamë në dy çështje; njëra pjesë ishte për datën 15 korrik, Bardhi kërkoi të negociohet që të shtrihet procesi në kohë. Pjesa tjetër e kryesisë, që nuk ishin deputetë, kërkonin të votohej dhe ky ishte momenti kur unë, Gaz Bardhi dhe një pjesë e kolegëve vendosëm të dalim dhe të mos votojmë. Këtu nisi përplasja në fillim me njerëzit që gjendeshin në korridor dhe më tej me militantët”, tregoi Gështenja në Euronews.