Deputeti italian kërkesë Melonit: Kërko drejtësi për aksidentin në Sarandë! Më shumë zhurmë u bë për faturën 80 euro sesa për jetën e dy të rinjve

Deputeti italian Francesco Emilio Borrelli ka reaguar për aksidentin e ndodhur në Sarandë, ku humbën jetë dy turistë italianë, të cilët u përplasën nga një mjet i drejtuar nga një i ri pa patentë.

Ai i ka bërë thirrje kryeministres Girogia Meloni që të kërkojë drejtësi për jetën e dy të rinjve, pasi sipas tij, më shumë zhurmë u bë për faturën e papaguar të 4 turistëve sesa për vdekjen e dy njerëzve në aksident.

“Shpresoj që kryeministrja Giorgia Meloni të marrë masa në kohë për t’i kërkuar qeverisë shqiptare drejtësi për Domenico Gritto dhe Vincenzo Tizzano, dy të rinjtë nga Monteruscello që u përplasën për vdekje nga një makinë në Sarandë të Shqipërisë.

Bëjeni me më shumë këmbëngulje dhe vendosmëri me të cilën ndërhyni për të mbrojtur restorantin shqiptar duke paguar faturën prej tetëdhjetë eurosh për katër automobilistët italianë që u larguan nga restoranti pa paguar. Fatkeqësisht, për momentin nuk është thënë asnjë fjalë për bashkëqytetarët tanë që humbën jetën në aksidentin tragjik, as nga ju dhe as nga kryeministri shqiptar Edi Rama. Fatkeqësisht, një faturë e papaguar në një restorant bën më shumë zhurmë se dy italianë që u vranë”, u shpreh deputeti Francesco Emilio Borrelli.