Deputetët kundër Bashës synojnë mbledhjen e një tjetër Këshilli Kombëtar, Koreshi: Të mblidhen ata që u zgjodhën nga Kuvendi i PD-së

Hapja e procesit për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD-së në 29 Korrik, ka vënë në lëvizje deputetët demokratë që janë kundër Bashës, pasi ky i fundit është në garë për t’u zgjedhur sërish në krye të Partisë Demokratike.

Saimir Koreshi është një nga deputetët që do të kërkojnë mbledhjen e Këshillit Kombëtar të përbërë nga anëtarët që u zgjodhën në Kuvendin e PD-së në korrikun e vitit 2021. Sipas tij, Këshilli i mbledhur nga PD e vulës pak ditë më parë nuk është legjitim.

“Synojmë të rimbledhim Këshillin Kombëtar siç ka qenë kur u zgjodh nga Kuvendi, në Korrik 2021. Ajo listë ndodhet në Gjykatën e Tiranës. Kemi kërkuar kopje për ta marrë në mënyrë zyrtare. Pasi në mbledhjen e pak ditëve më parë u hoqën, s’dihet sesi dhe nga kush, 170 antarë dhe janë komanduar 41 kryetarë degësh. Ky Këshill Kombëtar është i manipuluar, si dhe i janë marrë kompetencat Sekretarit të Përgjithshëm”, u shpreh Koreshi në emisionin “Pa Censurë” të gazetares Elona Meço.

Deputeti i Lushnjes tha se Sali Berisha, Enkelejd Alibeaj dhe Sali Berisha nuk duhet të kandidojnë për të qenë kryetarë të PD-së, pasi kështu vetëm përçajnë këtë forcë politike.

“Çështja është a do ta bëjmë PD një forcë të madh dhe fituese apo do ta lëmë që të jetë një parti që bën deputet kryetarin dhe 3-4 të tjerë? Siç është bërë tani, në 2025 maksimumi fiton 5 deputetë. Prandaj, Sali Berisha, Lulzim Basha, Enkelejd Alibeaj nuk duhet të kandidojnë në si kryetar. A duhet të jenë pjesë? Patjetër, por opozita nuk duhet trajtuar si pronë. PD dhe të gjithë copëzat që janë duhet të hyjnë në një proces, një hap pas Berisha, një hap pas Basha. Duhet një rifreskim, sepse kështu Rama mund të marrë 100 deputetë. PD, po nuk u bashkua, nuk ka gjë në terezi”, tha Koreshi.