Organizata “Qëndresa Qytetare” ka denoncuar sot një skandal që ndodh me Universitetin i Tiranës, i cili ndryshe nga universitetet e tjera nuk ka pranuar të japë informacion mbi kontratat që shpjegojnë shpenzimet për studentët.
Në një kërkesë zyrtare që organizata i ka bërë Universitetit, ky institucion i është përgjigjur negativisht duke theksuar se dhënia e informacionit dëmton sekretin tregtar, duke “mbrojtur” kështu bizneset me të cilat ka lidhur kontratë.
Përgjigjja është bërë publike nga Qëndresa Qytetare, e cila në reagimin e saj thotë se kjo është një ndër arsyet pse Universiteti i Tiranës është renditur i fundit në listën e Universiteteve më të mira të Europës dhe Azisë, ku renditja ishte edhe pas Universitetit Bujqësor dhe atij të Durrësit.
Edhe më herët organizata në fjalë ka denoncuar shkeljet që bëhen në universitetet tona, duke theksuar se qëllimi i tyre është të investojnë në prodhime shkencore dhe jo të lidhin kontrata me kompani sigurimi apo për pajisje zyrash dhe orendi.
