Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka bërë një denoncim të fortë gjatë seancës së sotme plenare lidhur me aplikacionin “Encrochat” dhe Sky Ecc. Berisha tha se 73 telefona që kanë aplikacionet e krimit kanë qenë në ndërtesën e këshillit të Ministrave.
Po ashtu nga Foltorja e Kuvendit, ai tha se kryeministri Edi Rama ka pasur 3 të tillë. Më tej Berisha bëri thirrje për ngritjen e Komisionit të së Vërtetës për të zbuluar lidhjet e politikës me krimin.
“Nga 15 mijë telefona të koduar, 8 mijë kanë qenë në Shqipëri, 73 kanë qenë në ndërtesën e Këshillit të Ministrave. Nuk është Tik Toku rrugaçi që thotë Ajetollahu i Tiranës, por EncroChatti krimineli, vrasësi, trafikanti.
Prandaj krijimi i Komisionit të së Vërtetës për të nxjerrë para shqiptarëve tani para zgjedhjeve, lidhjet e politikës me krimin është kusht i domosdoshëm. Damian, ke pasur edhe ti, mos u fsheh, betohu që nuk ke pasur. Ka pasur me dy apo tre Encrochatte. Kryeministri juaj (u drejtohet socialistëve) ka pasur dy apo tre të tillë” tha Berisha.