Dënohet me burg kryetari i Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla

Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit burg kryetarin e Bashkisë së Rrogozhinës, Edison Memolla, i akuzuar për korrupsion zgjedhor. Po ashtu sipas vendimit të GJKKO, Memolla e ka të ndaluar që për një periudhë 5 vjeçare të ushtrojë funksione publike.

Dënimi me 1 vit burg u dha edhe për Ndriçim Tafxhafën dhe Blerim Xhamanin. Ndërsa, Isuf Tosku u dënua me 8 muaj heqje lirie, por dënimi me burg u pezullua dhe iu konvertua në shërbim prove.

Memolla, pasi doli nga ambientet e GJKKO foli shkurtimisht per gazetarët duke thënë se do presin zbardhjen e vendimit, për ta ankimuar më pas. Ndërkohë nuk iu përgjigj pyetjes së gazetarëve nëse do të hiqte dorë nga posti i tij.

Memolla u mor i pandehur nga SPAK pas një audio-përgjimi ku tregohej sesi paguante faturat e energjisë elektrike të qytetarëve në këmbim të votave në zgjedhjet e pjesshme të 6 Marsit 2022.

Sipas prokurorisë nga hetimet është provuar se Memolla, në zgjedhjet e parakohshme të 6 marsit, ndikoi tek i pandehuri Blerim Xhamani me detyrë elektriçist pranë FSHU Durrës, dega Rrogozhinë, për të mos i ndërprerë energjinë elektrike një abonenti debitor, me qëllim për të votuar në favor të tij.