Deklaratat e Ramës kundër rritjes së pagave për gjyqtarët, Zaçaj: Kufiri duhet të mbetet te kritika, jo te presioni

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçe, ka reaguar sot, më 13 qershor, në lidhje me deklaratat e kryeministrit Edi Rama për kërkesën e Unionit të Gjyqtarëve për një rritje pagash prej 700 eurosh – kërkesë kjo e dyta në tre vitet e fundit.

Në prononcimin e saj për mediat, Zaçe theksoi se i qëndron deklaratës së bërë një ditë më parë dhe se nuk ndihen nën presion, pavarësisht komenteve që vijnë nga politika.

“Ne i qëndrojmë asaj që nxorëm në njoftimin për shtyp. Vlerësojmë se çdo vendim i yni mund të jetë subjekt kritikash. E drejta për lirinë e shprehjes nënkupton pikërisht këtë – të drejtën për të kritikuar. Por kufiri duhet të qëndrojë te kritika, jo te presioni,” deklaroi Zaçe.

Kjo e fundit e pyetur nëse e kanë parë deklaratën si një formë presioni, tha se janë deklarata të zakonshme nga të gjitha palët që përfshihen në proces.

E pyetur për deklaratën e kryeministrit Edi Rama, nëse shihej si një formë presioni, Zaçaj sqaroi se deklarata të tilla bëhen shpesh nga palët në proces dhe ishin mësuar me to, teksa e rëndësishme ishte që vendimet e Kushtetueses ishin të pavarura dhe të paanshme, teksa këshilloi edhe mediat që të mos i jepnin më shumë zë se ç’duhej disa çështjeve.

“Janë deklarata të zakonshme që ne i kemi parë nga të gjitha palët që përfshihen në proces, përfshi edhe median, dua ta theksoj dhe konsideroj. Sepse ndonjëherë jeni ju të medias që i jepni zë më shumë se ç’duhet ndonjëherë mendimeve, opinioneve që jepen për vendimet tona. Megjithatë për sa kohë vjen në kuadër të lirisë së medias dhe të shprehjes, kjo është një vlerë e shtuar, pasi unë jam një partizane vetë, por edhe trupa. Kështu që atë që ne çmuam të rëndësishme, detyrimin ndaj publikut, për ta informuar dhe garantuar për funksionin tonë të pavarur dhe të paanshëm, ne e kryem. Pjesa tjetër mbetet për mënyrën se secili nga pushtetet mendon të veprojë dhe e sheh detyrën e tij, por për ne kjo është pjesa më e rëndësishme”- shtoi Zaçe.