Ish zv.drejtori i AKSHI-t, Daniel Shima, të cilin familjarët e tij e denoncuan të zhdukur pas një mesazhi që u kishte dërguar do të merret sërish në pyetje nga policia.
Shima i dërgoi një mesazh familjes së tij duke u thënë se po e arrestonin dhe për 10 orë nuk pati asnjë komunikim me ta. Për këtë arsye e ëma e tij bëri një denoncim në polici.
Ndërkohë ai u rikthye në banesë, ndërsa policia në një njoftim tha se ai kishte deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.
“Isha zënë me partneren dhe thashë të shkoj të qetësohem disa ditë në jug, por pashë që ishin shqetësuar familjarët dhe mori përmasa mediatike dhe u ktheva,” tha ai në polici.
Por ai do të merret në pyetje për të mësuar më shumë dhe përse u tha familjarëve të tij që po e arrestonin.
“Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, për kallëzimin e shtetases M. Sh, për humbjen e kontakteve me djalin e tij, shtetasin D. Sh., 34 vjeç, bëjmë me dije se rreth ores 02:00, ky shtetas është paraqitur në Komisariatin e Policise Nr. 1 dhe ka deklaruar se ishte larguar me dëshirën e tij.”, informoi policia.
Ndërkohë kujtojmë se një vit më parë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një deklaratë për Syri Tv bëri një deklaratë të fortë duke thënë se Daniel Shima ishte kërcënuar nga vetë kryeministri Rama që sipas tij të mbyllte gojën.
“AKSHI është tmerr. Danieli është kërcënuar. Tani ata që e kuptojnë e dinë shumë mirë që të mbylli gojën. Danieli është kërcënuar nga vetë kryeministri që të mbyllë gojën. Le të dalë e të bëjë batuta, jo tha…” shprehet për Syri TV, ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.