Edi Rama i ka “pikë të dobët” gratë, dhe këtë e ka treguar gjatë gjithë jetës së tij. Në çdo pozicion drejtues që ka pasur, në krahun e tij të djathtë ka qenë gjithmonë një grua, për shkak se ai beson që ato e bëjnë punën shumë herë më mirë se meshkujt.
Ashtu si para çdo fushate elektorale, edhe këtë herë kryeministri mblodhi gratë socialiste në hapjen zyrtare të fushatës elektorale ditën e djeshme, ku shprehu vlerësimet maksimale për to, por bëri edhe një deklaratë të fortë.
Rama tha se në vitin 2030, në mandatin e 5-të qeverisës të Partisë Socialiste, qeveria do të udhëhiqet nga një grua.
“Shqipëria është grua! Europa është grua dhe suksesi për Shqipërinë 2030 varet në radhë të parë nga nënat, motrat dhe bijat e Shqipërisë, nuk ka asgjë që më bën më shumë krenarë se sa fakti se kjo parti politike mbështetet nga gratë… Në 2030, do shikohemi përsëri se do vijmë të mbështesim kryeministren grua”, tha kryeministri.
Por, cila do të jetë gruaja që Rama ka në mendje ta vendosë në krye të qeverisë?
Mendja shkon menjëherë te 3 figurat kryesore të PS-së: Elisa Spiropali, Belinda Balluku dhe Ogerta Manastirliu.
E para kryetare e Parlamentit, e dyta zv.kryeministre dhe ministre prej shumë vitesh e një prej ministrive më të fuqishme në vend, dhe e treta që ka marrë besimin për të drejtuar 2 ministri.
Por, kur flitet për vendime të Ramës, mund të presim vetëm surpriza. Kjo do të thotë se ka shumë mundësi që asnjëra prej tyre të mos jetë në mendjen e Ramës për ta zëvendësuar atë në vitin 2030, dhe ka disa arsye:
Elisa Spiropali erdhi nga “Mjaft” së bashku me Erion Veliajn, dhe menjëherë u katapultua në Drejtorinë e Doganave. Drejtimi i Doganave prej saj u shoqërua me skandale të shumta, madje nga opozita u hodhën akuza se Spiropali kishte krijuar një pasuri 5 milionë euro nga korrupsioni.
Vitet kaluan dhe pozita e Elisa Spiropalit në Partinë Socialiste u forcua ndjeshëm, pasi aftësia e saj për të debatuar e bënë një nga figurat më të dashura për socialistët, por fjalimet e saj para Ramës e kthyen edhe në “meme”, për shkak të krahasimit që ajo i bëri Edi Ramës me Skënderbeun.
Por, kur pritej që Elisa Spiropalit t’i besohej një ministri e madhe, kryeministri Rama i dha vetëm Ministrinë e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin. Këtu i kuptua se planet e Ramës për Spiropalin ishin shumë më të vogla se ato që ajo kishte krijuar në mendjen e saj.
Më pas erdhi edhe emërimi në krye të Kuvendit, një detyrë që vetë Spiropali nuk e priti me shumë entuziazëm dhe me të drejtë, pasi vetëm pak muaj pas marrjes së detyrës, filloi të sulmohej në grupin parlamentar se nuk ishte e aftë të mbante qetësi dhe lejoi opozitën të flasë më shumë seç duhej.
Vendimi i Ramës për të mos i dhënë një ministri të rëndësishme dhe skandalet në drejtimin e “Doganave”, tregojnë që Elisa Spiropali ka pak shanse të jetë kryeministrja e ardhshme e Shqipërisë.
Belinda Balluku erdhi si një figurë pak e njohur, por menjëherë u bë një nga njerëzit më të rëndësishëm të kryeministrit Rama. Aftësitë e saj drejtuese bindën Ramën që t’i besonte Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjitikës, një nga ministritë më të mëdha në vend, një vendim që i “hapi oreksin” për pushtet Ballukut.
Pasi i mori vendin Arben Ahmetajt si zv.kryeministër, me këtë të fundit që e akuzon se ishte pikërisht ajo që i “fryu në vesh” Edi Ramës për ta larguar dhe për të hedhur akuza mbi të, Belinda Ballukut i kishte ngelur vetëm një kundërshtar brenda PS-së, Erion Veliaj. Por, edhe këtë të fundit e “sistemoi” në Durrës.
Për një pjesë të madhe të socialistëve, Belinda Balluku shihet si zëvendësja e Ramës kur ky të lërë partinë, por skandalet e shumta në drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës i japin pak shanse.
Belinda Balluku është një nga ministret më të akuzuara, teksa shumë prej njerëzve të saj të besuar sot janë në burg ose nën hetim nga SPAK. Edhe ndaj saj janë disa denoncime në SPAK, ndaj ka më shumë gjasa që Balluku të shkojë më përpara në burg se sa në zyrën e kryeministrit.
Ogerta Manastirliu prej më shumë se 20 vitesh qëndron krah Edi Ramës, fillimisht në Bashkinë e Tiranës e tashmë në qeveri. Që prej vitit 2017, ajo ka patur gjithmonë një vend në kabinetin qeveritar, fillimisht si Ministre Shëndetësie dhe tashmë si Ministre Arsimi.
Ogerta Manastirliu di ta bëjë shumë mirë propagandën, ashtu siç di shumë mirë të justifikohet për skandalet dhe të fshihet pas çdo ngjarje, por ajo që Manastirliu nuk di të bëjë mirë, është të drejtojë.
Ogerta Manastitliu ka dështuar me sukses në të dy Ministritë që i janë besuar. Fillimisht me Shëndetësinë, me tenderat sekretë gjatë pandemisë dhe me skandalet e njëpasnjëshme në spitalet e vendit, sidomos gjatë pandemisë, ku qytetarët liheshin në mëshirë të fatit nga mungesa e kushteve dhe mjekëve.
Ndërsa në Ministrinë e Arsimit, rezultatet e PISA-s treguan punën e “mirë” që ajo ka bërë në drejtimin e kësaj Ministrie, me nxënësit e Shqipërisë që u renditën në vendet e fundit në renditjen ndërkombëtare.
Ndaj, Ogerta Manastirliu ka pothuajse aspak shanse që të jetë në krye të qeverisë në vitin 2030, gjithmonë nëse PS arrin të fitojë një mandat qeverisës.
Pra, ka shumë pak mundësi që një prej Spiropalit, Ballukut dhe Manastirliu të jetë në mendjen e Ramës për të udhëhequr qeverinë, por se cila është ajo që kryeministri ka në plan ta vendosë në vend të tij, këtë nuk e di asnjë, përveç Ramës./Ditar.al