Deklarata e fortë e Artan Hoxhës: Një person u mor peng në mes të qytetit për zgjedhjet, u dorëzua i gjallë sepse kishte dëshmitarë

Gazetari Artan Hoxha ka bërë një denoncim të fortë se një person është marrë peng në mes të qytetit, e kanë futur në bagazh dhe e kanë lëshuar më pas në rrugën e Kombit.

Gjatë një interviste të dhënë në “Euronews”, Hoxha tha se një mbështetës i opozitës është marrë peng nga njerëzit e një kandidati të mazhorancës, por duke mos përmendur emra. Ai tha se ka një video që tregon pengmarrjen, ku e fusin në bagazh dhe është lënë në rrugën e Kombit i gjallë, kjo për faktin se ngjarja ka ndodhur në mes të qytetit dhe ka pasur dëshmitarë.

Ai është marrë peng për motive politike, thotë Hoxha, pasi po i prishte punë kandidatit të majtë. Sipas gazetarit, ai është liruar me ndërhyrjen e policisë, por në lidhje me këtë ngjarje nuk ka asnjë të arrestuar.

“Një mbështetës i opozitës është marrë peng nga njerëzit e një kandidati të mazhorancës, është marrë peng në qytetin X, është e filmuar, dhe e kanë lëshuar në Rrugën e Kombit. E kanë futur në bagazh dhe e kanë çuar atje se sipas llogarive te tyre ky njeri me fushatën që po bënte po iu prishte punë. Dhe lirimi i pengut mesa di unë është bërë edhe me ndërhyrjen e policisë, madje oficerë të lartë të policisë dhe personat përgjegjës nuk janë arrestuar. Kjo ngjarje është ngjarje e freskët”, tha Hoxha.