Debate në mbledhjen e Komisionit Hetimor të TIMS, Salianji: Rama nuk kthen përgjigje prej 3 javësh

Ka nisur me debate mbledhja e Komisionit Hetimor të TIMS, mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës ku parashikohet që të miratohej plani i hetimit.

Kreu i këtij komisioni Ervin Salianji tha se kryeministri është jashtë juridiksionit, pasi prej tre javësh nuk kthen përgjigje. Po ashtu ai tha se edhe Prokuroria e Tiranës nuk ka kthyer ende përgjigje, pavarësisht kërkesës për informacion nga ky komision për skandalin e vjedhjes së të dhënave nga TIMS në gusht të 2023-it.

Ndërkohë ekspertët, kanë kërkuar më shumë kohë për të dalë me një raport për planin e hetimit, por kjo u kundërshtua nga Salianji.

Pjese nga debati:

Salianji: Janë depozituar në sekretari dy shkresa, një me titull propozimi i strategjisë së hetimit dhe një plani i hetimit për TIMS. Besoj se nuk kemi strategji, por kemi direkt plan hetimi dhe do ta arrijmë që ta kapërcejmë këtë. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe mes dy propozimeve.

Gogu: Ligji është i qartë. Mbledhja pati një fillim shumë të mbarë. Kjo nuk ndodh zakonisht. Ligji flet që këtë moment të përgatitjes së draftit të planit të hetimit e drejtojnë ekspertet dhe ju me të drejtë ja dhatë fjalën. E dëgjuam zotin Bici, jo se nuk kishim pyetje, ndërhyrje apo opinione, por në respekt të kapacitetit të tyre dëgjuam me vëmendje. Ju këtë nuk e bëtë, duket sikur doni ta sabotoni. Unë propozoj që të dëgjojmë ekspertët dhe më pas të hapni një seancë me pyetje. Kjo nuk është dita jonë që të vazhdojmë gjyqin e radhës.

Salianji: Këtu jashtë juridiksionit të këtij shteti është kryeministri që nuk kthen përgjigje, është java e tretë. Duhet të ktheje përgjigje edhe për të treguar që në raport me ligjin është i barabartë me të tjerët. Prokuroria e Tiranës nuk sjell ende përgjigje. E ktheu SPAK brenda dy ditësh! Kaq punë ka kjo prokurori?! Sepse kur reagon kryeministri kthejnë përgjigje brenda gjysmë ore. Meqe i ndjekin të kthejnë përgjigje.